Brez pa lamtumirë

Brez pa lamtumirë

Wolfgang BORCHERT  (1921-1947)

Ne jemi brezi pa lidhje dhe pa thellësi. Thellësia jonë është vetë humnera. Ne jemi brezi pa lumturi, pa atdhe dhe pa lamtumirë. Dielli ynë është i vogël, dashuria jonë e frikshme dhe rina jonë pa rini. Dhe ne jemi një brez pa kufij, pa frenim dhe pa përkujdesje, të flakur nga qerthulli i foshnjërisë në një botë, e cila nxjerr pastaj edhe ata që pikërisht për një gjë të tillë do të na përbuzin. Po ata nuk na dhanë asnjë perëndi me vete, e cila të na e forconte zemrën kur harboheshin shtrëngatat e kësaj bote. Kështu ne jemi brezi pa perëndi, sepse ne jemi brezi pa lidhje, pa të kaluar, pa vlerësim. Dhe shtrëngatat e botës që i kanë bërë këmbët tona dhe zemrat tona si të ciganëve në rrugët e tyre herë përvëluese, herë mbuluar me borë një bojë njeriu, na kanë shndërruar në një brez pa lamtumirë.

Ne jemi brezi pa lamtumirë. Ne nuk mund të përjetojmë asnjë lamtumirë, ne nuk duhet t’i përjetojmë ato, sepse zemrave tona ciganore u ndodhin lamtumira të panumërta në shtegtimet e këmbëve tona. Apo mos zemra jonë duhet të lidhet për një natë, e cila ka një lamtumirë në mëngjes? E durojmë ne dot lamtumirën? Dhe nëse ne do të donim t’i përjetonim lamtumirat sikundër ju, që jeni ndryshe nga ne dhe e shijoni lamtumirën në të gjitha sekondat e saj, atëherë do të ndodhte që lotët tanë do të shndërroheshin në lumë ujëplotë, të cilin nuk do ta përmbante dot asnjë digë, qoftë ajo edhe e ndërtuar prej katragjyshërve tanë!

Ne kurrë nuk do të kemi fuqi ta përjetojmë lamtumirën që qëndron pranë çdo kilometri të rrugës, siç e keni përjetuar ju. Mos na thoni, meqë zemra jonë hesht, se zemra jonë nuk paska zë, sepse ajo nuk shpreh asnjë lidhje, asnjë lamtumirë. Sikur zemra jonë të përjetonte me gjakun e saj çdo lamtumirë, t’i përjetonte ato thellë, trishtueshëm, dhembjembushur, atëherë po, ajo do të ndodhte, sepse lamtumirat tona janë një mizëri në krahasim me tuajat, dhe britma e zemrave tona të ndjeshme do të ishte kaq e madhe, saqë ju do të ngriheshit ndenjur natën, në shtretërit tuaj, dhe do të luteshit për një perëndi, për ne. Ndaj jemi ne një brez pa lamtumirë. Ne e mohojmë lamtumirën, e lemë atë të flerë në mëngjes, kur ikim, e pengojmë, e kursejmë, ia kursejmë vetes dhe atyre me të cilët do të ndahemi.

Ne përvidhemi tej si hajdutë, mirënjohës, mosmirënjohës, dhe marrim dashurinë me vete e lemë lamtumirën atje. Ne jemi plot takime, takime pa zgjatshmëri dhe pa lamtumirë, sikundër yjet. Ata afrohen, qëndrojnë për disa sekonda pranë njëri-tjetrit, largohen sërishmi: pa gjurmë, pa lidhje, pa lamtumirë. Ne takohemi në kryekishën e Smolenskut, ne jemi një burrë e një grua dhe pastaj përvidhemi tej. Ne takohemi në Normandi dhe jemi si prindër e fëmijë dhe pastaj përvidhemi tej. Ne takohemi një natë në liqenet finlandeze dhe jemi dy të dashuruar dhe pastaj përvidhemi tej. Ne takohemi në një fermë në Vestfali dhe jemi shijues dhe përdorues dhe pastaj përvidhemi tej.

Ne takohemi në një bodrum të qytetit dhe jemi të uritur, të lodhur dhe për hiçgjë fitojmë një gjumë të mirë, qetësues, pastaj përvidhemi tej. Ne takohemi kudo në botë dhe jemi njeri me njeri, pastaj përvidhemi tej, sepse ne jemi pa lidhje, pa qëndrim dhe pa lamtumirë. Ne jemi një brez pa lamtumirë, i cili përvidhet si hajdut, sepse ka frikë nga britma e zemrës së tij. Ne jemi brez pa kthim në shtëpi, sepse nuk kemi vatër ku mund të kthehemi, nuk kemi askënd ku zemra jonë të mundte të prehej, kështu jemi shndërruar në një brez pa lamtumirë dhe pa kthim në shtëpi. Por ne jemi brez i shpresës. Mbase ne jemi brezi me shpresë të madhe për të shkuar në një planet të ri, në një jetë të re. Plot me shpresë për një diell të ri, për zemra të reja. Mbase jemi plot shpresë për një dashuri të re, për një buzagaz të ri, për një perëndi të re. Ne jemi një brez pa lamtumirë, por ne e dimë se e gjithë shpresa na përket neve.

Përzgjodhi: Arrita MUSTAFA

Shpërndaje në: