Brezovica i ishte kthyer shtetit sa ishte kryeministër Avdullah Hoti

Periskopi.com Lajme

Ditëve të fundit pati reagime të shumta, e sidomos nga deputetët e LVV-së, të cilët mburreshin se si për herë të parë pas 22 vitesh Brezovica iu kthye institucioneve të Kosovës.

Ani pse ky është një vendim që u mor nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në dhjetor të vitit 2020, deputetët e kësaj partie nisën të mburreshin me këtë vendim vetëm pasi u raportua nga mediat në muajin janar, shkruan Gazeta Infokus.

Me 22 dhjetor të vitit 2020, AKP-ja kishte marrë vendim për vendosjen e “NSH Inex Sharr Pllanina Brezovica” nën administrimin direkt të AKP-së.

Ishte deputetja, Fjolla Ujkani e para ajo e cila e përdori këtë për tu mburrur duke thënë se pas 22 vitesh për herë të parë Brezovica, nuk do të menaxhohet nga strukturat paralele serbe, por nga shteti i Kosovës, duke bërë këtu me hashtag #qeveriaKurti.

Derisa me 17 janar, ky institucion njoftoi se është emëruar bordi i ri dhe se ka filluar punën ‘Ndërmarrja Shoqërore Brezovica’, për një vendim i cili ishte marrë në vitin që lamë pas.

“Fillon punën Ndërmarrja Shoqërore Brezovica Prishtinë – Më 13 janar 2022 Bordi i Drejtorëve i AKP-së emëroi Bordin e ri të Përkohshëm Menaxhues për NSH Inex Sharr Planina Brezovicë, Shtërpce, në përbërje të gjashtë (6) anëtarëve. Kjo ndërmarrje me vendim të Bordit të Drejtorëve të AKP-së ishte vendosur më parë nën Administrim Direkt të AKP-së më 22 dhjetor 2020”, thuhet në njoftimin e AKP-së.