Britania e Madhe nis bisedimet me talibanët për një çështje me rëndësi

Britania e Madhe nis bisedimet me talibanët për një çështje me rëndësi

Britania e Madhe i ka filluar bisedimet me talibanët për të siguruar largim të sigurt nga Afganistani për disa shtetas britanikë dhe afganë, të cilët ende ndodhen në vendin e rrënuar nga lufta e gjatë.

Qeveria britanike njoftoi se zyrtarë shtetërorë po zhvillojnë bisedime me anëtarë të lartë të talibanëve në Doha të Katarit, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, mësohet t’u ketë thënë deputetëve se rreth 150 deri 250 persona që i plotësojnë kushtet për evakuim dhe familjet e tyre ndodhen ende në Afganistan.

Duke i komentuar bisedimet mes qeverisë britanike dhe talibanëve, një zëdhënës i kabinetit britanik tha: “Përfaqësuesi i posaçëm i kryeministrit për tranzicionin në Afganistan, Simon Gass, ka udhëtuar në Doha dhe po takohet me përfaqësues të lartë të talibanëve për ta theksuar rëndësinë e largimit të sigurt nga Afganistani për shtetasit britanikë dhe për ata afganë që kanë punuar me ne në 20 vitet e kaluara.”

Të martën, ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab, tha se mbi 17.000 persona janë evakuuar nga Afganistani nga forcat britanike deri më tani, përfshirë mbi 5.000 shtetas britanikë.

Ish-ambasadori britanik në Afganistan, Sir William Patey, tha se angazhimi me talibanët mund të ndihmojë në parandalimin e një krize refugjatësh dhe të ndikojë që Afganistani të mos bëhet vend pritës për terroristë.

Shpërndaje në: