BSPK-ja nuk tërhiqet nga kërkesat për Qeverinë, kanë një kundërpërgjigje për ministrin Murati

BSPK-ja nuk tërhiqet nga kërkesat për Qeverinë, kanë një kundërpërgjigje për ministrin Murati

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Sektorit Privat (BSPK), janë duke kërkuar që të miratohet sa më parë Ligji për Pagat në Sektorin Privat.

Kryetari i Këshillit Drejtues të BSPK-së, Ali Gashi tha në emisionin “Frontal” në T7, se beson që çështja e mjeteve nuk është arsyeja se pse ky Ligj nuk po miratohet.

“Nuk e besoj që është çështje e mjeteve. Siç e dini historikun e Ligjit të Pagave është se Gjykata Kushtetuese e shfuqizoj dhe ardhja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme ka ngec ky Ligj. Ligji rregullon shumë pakënaqësi të cilat kanë ndodhur dhe ku ka më mirë se të ekzistojë një Ligj që përveç se bën paqe sociale dhe e liron Qeverinë prej kësaj problematike që është”, ka thënë ai.

Ndër të tjera.  Gashi tha se po kërkojnë respektimin e parimit që të ketë pagë të njëjtë për personat që e kryejnë punën e njëjtë.

“Ne gjithmonë e kemi thënë që duhet që të respektohet parimi për punë të njëjtë, pagë të njëjtë dhe nuk ka këtu privilegje e as presion, kërkohet vetëm barazi dhe transparencë”, tha më tutje ai.

Ai dha detaje edhe për problematikën tjetër që kanë shtruar në kërkesat e tyre ndaj Qeverisë, karshi asaj për miratimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Privat.

“Ne insistojmë që Ligji i Pagave të procedohet dhe njëkohësisht insistojmë që në buxhetin për 2022 të futet edhe linja buxhetore për Ligjin e Pagave, por si problematikë tjetër ne e kemi ngritur edhe çështjen e Ligjit për Skemat Pensionale të financuar nga shteti, ku ne kemi kërkuar që të rregullohet kjo çështje dhe t’u njihet përvoja e punëve të gjithë personave që janë dëbuar nga puna gjatë viteve të 90-ta”, ka thënë Gashi.

Ai iu kundërpërgjigj edhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, që ditë më parë i quajti këto sindikata të kapura.

“Ne jemi institucione që i përfaqësojmë apo i avokojmë të drejtat dhe kërkesat e punëtoreve. Prandaj është problem. Ata që mendojnë edhe z.Hekuran edhe të tjerët se ne jemi të kapur, ata e kanë gabim shumë të madh dhe sinqerisht nuk i bënë nder atij, sepse ne jemi institucione të Republikës së Kosovës dhe jemi të përfaqësuar me ligj dhe kurrsesi as sot, as nesër, as Hekurani e askush s’kanë me mujtë me na qitë në rrafshin politik, sepse ne nuk e lejojmë”, ka thënë Gashi.

Shpërndaje në: