Bullgaria kërkon që komuniteti bullgar të përfaqësohet në Kosovë, Osmani i premton realizimin e kërkesës

Bullgaria kërkon që komuniteti bullgar të përfaqësohet në Kosovë, Osmani i premton realizimin e kërkesës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu,  po qëndron sot  për një vizitë zyrtare në Bullgari, me ftesë të presidentit Rumen Radev. Pas takimit kokë me kokë me homologun bullgar, krerët e dy shteteve, mbajtën një konferencë për media.

Në fjalën e tij, presidenti Radev, pasi shprehu kënaqësinë për takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, tha se Bullgaria vazhdon të mbështesë Kosovën, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

“Kemi diskutuar perspektivën evropiane për Kosovën. Ne mirëpresim angazhimin e lidershipit të Kosovës për integrime dhe vazhdimin e  reformave shtetërore”, tha presidenti bullgar.

Ai deklaroi se lufta ndaj krimit e korrupsionit, janë pika kyçe për Kosovën për anëtarësim në BE.

Presidenti Radev tha se mirëpret solidarizimin e Kosovës, dhe  orientimin drejt BE-së.

“Mirëpresim të gjitha angazhimet e Kosovës për procesin e dialogut dhe shpresojmë të ketë një përfundim të shpejtë”, tha ai, duke shtuar se “Bullgaria e mbështetë Kosovën për anëtarësim në strukturat evropiane”.

Kreu i shtetit bullgar deklaroi se në takim,  janë diskutuar edhe çështje të tjera si lufta në Ukrainë dhe ndikimi i saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Duke folur për kontributin e Bullgarisë në rajon, presidenti Radev tha se ky shtet, për shkak të ndikimit që ka,  është arritur që muajin e kaluar, të merren vendime edhe në BE,  sa i përket sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në uljen e krizave në aspektin ekonimik.

“Ftojmë vendet e Ballkanit Perëndimor që të përmirësojnë angazhdimet e tyre në parimet që BE-ja i promovon”, deklaroi ai, raporton RTKlive.

Sipas presidentit bullgar, në të gjitha iniciativat tjera rajonale jashtë BE-së, Bullgaria  ka  kontribuar në arritjen e  qëlllimeve të bazuara në parimin e fqinjësisë së mirë.

“Dëshiroj të ftoj lidershipin kosovar në procesin e dialogut dhe t’i përgëzoj për marrëveshjen e arritur me 23 nëntor, në qetësimin e tensioneve në veri të vendit  dhe në aplikimin e masave për minimizimin e tensioneve”, tha ai.

Radev tha se pjesë e rëndësishme e diskutimeve me presidenten Osmani-Sadriu, ishte edhe komuniteti bullgar në Republikën e Kosovës.

“Mirëpresim angazhimin për ndërtimin e shoqërisë multi-etnike dhe t’u ndihmojmë komuniteteve jo shumicë, që të kenë mekanizmat dhe përfaqësim në fushën e politikës e ekonomisë, që ta rrisin prezencën kulturore dhe edukimin e tyre”, tha ai.

Presidenti bullgar potencoi se pikë kyçe në bisedë me homologen Osmani-Sadriu, ishte zbatimi i rekomandimit që komuniteti bullgar, të ketë të drejta të barabarta në përfaqësim në nivelin legjislativ të Kosovës.

Nga ana e saj, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu deklaroi se Kosova e konsideron partner dhe aleat të fortë Bullgarinë dhe e falendëron atë për mbështetjen e dhënë, ndër të tjera, edhe në kuadër të KFOR-it.

“Ka sfida të shumta dhe falendërojmë Bullgarinë për aleancën dhe miqësinë”, tha Osmani-Sadriu, duke shtuar se Kosova është e gatshme të thellojë këtë bashkëpunim.

Duke shpjeguar se vendi po kalon nëpër reforma të thella ekonomike edhe në mbulimin e respektimit në nivel shteti, sa më të madh të të drejtave të njeriut, presidentja rikujtoi se aktualisht ka më shumë 100 investitorë bullgarë në Kosovë.

Shpërndaje në: