Bulliqi paralajmëron largimin nga LDK-ja

Bulliqi paralajmëron largimin nga LDK-ja

Edhe pse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk e kishte përfshirë Shpejtim Bulliqin në listën për kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 qershorit, ai nuk ndihet i zhgënjyer nga partia të cilën dikur përfaqësonte në Kuvendin e Kosovës.
Mirëpo, Bulliqi ka thënë për Ekonomia Online se është zhgënjyer nga individët të cilët udhëheqin LDK-në, që sipas tij, kanë menaxhuar keq me këtë subjekt politik.

“Jo nuk jam zhgënjyer asnjëherë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, jam zhgënjyer nga individët të cilët udhëheqin Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilët mendoj se e kanë bërë punën keq dhe kanë menaxhuar keq me partinë, dhe si pasojë e këtij menaxhimi të keq me partinë që kanë bërë këta individë, sigurisht që kanë prodhuar një rezultat të cilin faktikisht ne e kemi sot, subjektin e tretë politik në nivel vendi”, ka thënë Bulliqi.

Kurse për angazhimin e tij brenda kësaj partie dhe mundësinë për t’u zhvilluar në ndonjë parti tjetër ai ka thënë se krejt kjo varet nga hapësira që i jepet për të vepruar.

“Unë faktikisht e ceka dhe më herët puna dhe angazhimi im është brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës deri në fazën dhe momentin kur krijohet hapësirë ku me punu dhe me vepru. Në rast se do të mbyllen të gjitha rrugët atëherë duhet me analizuar çështjen e punës dhe angazhimit tim më tutje”, ka thënë ai.

Lidhja Demokratike e cila në zgjedhjet nacionale doli si partia e tretë, e që për këtë gjendje Bulliqi tha se fajtori është kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

“Ne e dimë kush janë udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke filluar nga kryetari, nënkryetarët dhe kryesia e Lidhjes Demokratike komplet”, ka thënë Bulliqi.

 

Shpërndaje në: