Burim Meta: Më përpara rrëzohet një kodër e madhe, sesa Vjosa Osmani

Burim Meta: Më përpara rrëzohet një kodër e madhe, sesa Vjosa Osmani

Sot gjatë ditës ka pasur shumë reagime pas raportimeve në medie se Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzoj Vjosa Osmanin nga posti i Presidentes, për shkak se dy kandidatë për deputetë kanë bërë ankesa në instancën më të lartë gjyqësore, shkruan Periskopi.

Burim Meta i cili është deputet i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga radhët e Listës Guxo në një prononcim për Periskopin tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Sipas Metës “më përpara rrëzohet një kodër e madhe, sesa Vjosa Osmani”

“Nuk  besoj që mundet me ndodhë një gjë e tillë. Nuk do të ndodh për shkak se nuk ka ndonjë shkelje. Më përpara mundet me u rrëzu ndonjë kodër e madhe sesa Vjosa Osmani”, tha Meta për Periskopin.

Periskopi ka kontaktuar edhe deputetin Haxhi Avdylin, por i njëjti ka hezituar të përgjigjet në lidhje me këtë çështje.

Kujtojmë se ish-kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka thënë se Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani mund të rrëzohet.

“Nëse rastin konkret, kandidati për deputet e fiton, presidentja e shtetit duhet të jap dorëheqje”

“Ne kemi pasur tashmë një situatë të tillë, apo pak a shumë të ngjashme me këtë, rasti i ish-kryeministrit Avdullah Hoti dhe besoj që kjo situatë do të ishte bukur shumë e ngjashme edhe me atë situatë dhe me siguri që atëherë presidentja aktuale do të duhej të shkonte në rivotim apo konkretisht do ta humbte mandatin e presidentes sepse nuk do të ishte sigurt a i kishte ato vota të cilat i ka marrë kur është votuar para dy viteve, dhe pastaj do të duhej të shkohej në rivotim”, ka deklaruar Valdete Daka, ish-kryetare e KQZ-së.

Gjykata Kushtetuese që dy vite ka në trajtim një lëndë të paraqitur nga kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha. Ai shprehet i shqetësuar që gjatë kësaj periudhe nuk ka akoma një vendim në pretendimet se i janë shkelur të drejtat gjatë kandidimit për deputet më 2021./Iliriana Xhylani-Periskopi

Shpërndaje në: