Burri i Albulena Haxhiut pasi humbi në Malishevë: Të bojkotohet balotazhi

Burri i Albulena Haxhiut pasi humbi në Malishevë: Të bojkotohet balotazhi

Kandidati i VV-së për kryetar të Malishevës, Alban Krasniqi, humbi në zgjedhjet që u mbajtën dje. Ai u rendit në vendin e katër.

Krasniqi pasi humbi në Malishevë, ai tani nga qytetarët po kërkon që të bojkotohet balotazhi.

“Asnjëra prej subjekteve që kanë fituar balotazhin nuk përfaqësojnë vlera për të cilat ne angazhohemi, përkundrazi janë sinonim i krimit. Andaj edhe i bëj thirrje të gjithë votuesve tanë që TA BOJKOTOJNË BALOTAZHIN NË MALISHEVË.”, ka shkruar ai, transmeton Periskopi.

Burri i Albulen Haxhiut në shkrimin e tij në Facebook, ka thënë se nuk mund ta urojë fituesin e zgjedhjeve.

Postimi i tij i plotë:

Të dashur qytetarë të Malishevës,

Dje kaluam një proces zgjedhor të qetë dhe të rregullt në dukje brenda vendvotimeve.

Jam i vetëdijshëm që në komunën tonë shprehja demokraci dhe vullnet i lirë janë ende larg të qenit realitet.

Do të dëshiroja të uroja qytetarët për këto zgjedhje por duke qenë i vetëdijshëm për mënyrën sesi përdoren ende mekanizmat e klientelizmit, shantazhit dhe patronazhit në komunën tonë kjo më bënë të ndjej keqardhje për pamundësinë që të triumfoj vullneti i lirë.

Andaj, fitores së figurave që janë sinonim i krimit dhe korrupsionit nuk kam sesi t’i gëzohem dhe as sesi t’i uroj.

Janë ata shkaktari i varfërisë, janë ata shkaktari i ikjes masive të rinisë, janë ata shkaktari i lënies së komunës sonë në fund të listës, ata janë përfituesit e privatizimit të tokave tona, janë ata lejedhënësit dhe bashkëpronarët e gurthyesve, janë ata përfituesit e tenderomanisë.

Pse, fituan!? Këtë e gjejmë në shumën e madhe të parasë së pistë të përfituar për mëse dy dekada në pushtet, në kapjen e çdo institucioni dhe kontrollimin e çdo pozite pune.

Andaj, rezultati nuk është zgënjyes për ne, por për Malishevën e cila vendoset në prapakthim.

As edhe një presje të programit dhe as edhe një moment të veprimeve dhe takimeve tona të shumta nuk mund ta heq nga ajo që kemi bërë, sepse kemi punuar drejt, sinqerisht, njerëzisht.

Një gjë jam mëse i sigurt, që vota e dhënë ndaj nesh ishte votë tipike demokratike, e jo e blerë, jo e kushtëzimit, jo e shantazhit dhe jo e klienteles dhe as e premtimeve megalomane.

Ashtu siç kam thënë po e ripërsëris se vazhdimi dhe as riciklimi jo që nuk janë zgjidhje, por janë hije e zezë që do ta mbajnë peng dhe ta lënë komunën tonë në regres për sa kohë nuk çlirohen qytetarët prej të tillëve.

Është e dhimbshme që e ardhmja u sakrifikua nga interesi shkurtpamës.

Ne nuk blejmë vota, as edhe nuk shantazhojmë apo ndrydhim vullnete, as edhe nuk shkelim dinjitete njerëzish.

Ne jemi për qytetari, vullnet të lirë, zhvillim dhe emancipim.

Asnjëra prej subjekteve që kanë fituar balotazhin nuk përfaqësojnë vlera për të cilat ne angazhohemi, përkundrazi janë sinonim i krimit. Andaj edhe i bëj thirrje të gjithë votuesve tanë që TA BOJKOTOJNË BALOTAZHIN NË MALISHEVË.

Sepse të zgjedhësh mes dy të kqijave nuk është zgjidhje, por zgjedhë…lak në fytin e qytetarit.

Na duhet më shumë punë dhe përkushtim që ta rizgjojmë vendosmërinë e qytetarëve për të mos iu nënshtruar krimit dhe mafias politike.

Strukturat kriminale dhe ato të SHIK-ut të instaluara ndër vite në institucionet qendrore, lokale dhe ndërmarrjet publike, që posedojnë edhe biznese multimilionëshe vazhdojnë të funksionojnë dhe dje ato i dhanë frytet e tyre.

Çrrënjosja e tyre është parakusht për zhvillimin e demokracisë në vend.

Për fund dua të falenderoj nga të gjithë aktivistët që u angazhuan pa përtesë dhe me vullnet e entuziazëm, të gjithë qytetarët që na hapën zemrat dhe shtëpitë e tyre, duke ndarë me ne halle, probleme e preokupime, të cilat ishin bazë për hartimin e programit tonë qeverisës, ata të cilët besuan tek ne dhe na mbështetën.

Megjithatë jam thellë i bindur që ndryshimi në qeverisjen lokale në Malishevë me VETËVENDOSJE!-n në krye do të ndodhë një ditë, sepse vullneti i vjedhur dhe i shtypur do gjej rrugën e çlirimit, lirisë dhe drejtësisë qytetare.

E humbëm një betejë por jo luftën!

Atë do ta vazhdojmë përmes përfaqësuesve tanë në kuvendin komunal, me shtrirjen dhe forcimin organizativ dhe bashkëpunimin e ngushtë me qytetarët.

 

Shpërndaje në: