Burri i Danicës dhe dhëndri i Milicës!

Burri i Danicës dhe dhëndri i Milicës!

Nga Mero Baze

I dërguari special i SHBA në Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, është vënë në qendër të sulmeve politike nga opozita, në përpjekje për të zhvlerësuar qëndrimet e tij të forta para 30 qershorit, që në të vërtetë ishin vendimtare për të shpëtuar një konfrontim që mund t’i kushtonte shumë Shqipërisë. 

Duke u përpjekur të zhvlerësojë këto qëndrime të zotit Palmer, opozita e ka sulmuar atë duke i kujtuar martesën e tij me Danica Palmer, në kohën që shërbente në Ambasadën e SHBA në Beograd.

Fokusimi tek gruaja serbe e zotit Palmer ka qenë krye-argumenti i opozitës, pse ai mbështeti 30 qershorin, që sipas opozitës Meta- Berisha, është një qëndrim kundër Shqipërisë.

Nuk po flas pastaj për sulme “profesionale” si ato të Agim Neshos, që e quan diplomat mediokër, se ai mendohet që e ka bërë këtë për t’i tërhequr vemendjen opozitës, jo Palmerit.

Por të ngelemi tek sulmi si dhëndër i Serbisë. Për perceptimin e një shqiptari tradicional, kur dikush të etiketon si serb, ose si dhëndër i Serbisë, nënkupton që ti i ke bërë një të keqe Shqipërisë, se të “thërret gjaku i të parëve”.

E “keqja” që i ka bërë Palmer, Shqipërisë, është se detyroi një bandë politike të dorëzohej, ndërkohë që ka marrë peng opozitën dhe po çonte vendin drejt gjakderdhjes, për të krijuar një situatë të re krize, pas së cilës të pezullohej reforma në drejtësi dhe të detyroheshin palët të bënin pazar me ta.

Matthew Palmer e bëri këtë “të keqe”, por që në fakt ishte një gjë e keqe vetëm për çiftin Meta-Berisha, jo për Shqipërinë. Shqipëria duhet t’i jetë mirënjohës këtij diplomati për vendosmërinë me të cilën e shmangu këtë spirale të përgjakshme, në të cilin po hynte vendi.

Nga ana tjetër, për ironi të fatit, ideatori i kësaj skeme që donte të përgjakte Shqipërinë, është po rastësisht dhëndër i Serbisë.

Sali Berisha është dhëndër i Milicës, një serbe e martuar në Shqipëri, vajza e së cilës është Liri Berisha. Ajo jo vetëm që ka qenë grua e mirë dhe plot dinjitet, por dhe shoqëria shqiptare nuk e ka paragjykuar kurrë Sali Berishën si dhëndër të Serbisë, edhe pse i ka bërë dhjetra gjëra të zeza këtij vendi.

Nëse ka ndonjë rast, kur shqiptari duhet të bëhet vërtet paksa konspirativ, është rasti që të shpjegojë të zezat e Sali Berishës për shkak të martesës me një serbe. Por kjo nuk ka ndodhur. Të zezat që vijnë prej Sali Berishës janë parë si të zeza që vijnë prej tij dhe grupit të tij politik.

Por ajo që është interesante me opozitën shqiptare, është pikërisht guximi për të gjykuar si anti-shqiptar burrin e Danicës, d.m.th zotin Palmer, dhe këtë e bëjnë në emër të dhëndrit të Milicës, Sali Berishës.

Akoma më agresiv Berisha është ndaj Palmerit lidhur me gjoja nxitjen që Palmer i bën marrëveshjes Serbi- Kosovë, duke u hequr sikur është i shqetësuar se Palmer, si dhëndër i Serbisë, mund ta bëjë këtë marrëveshje përmes korrigjimit të kufijëve.

E vërteta është se Berisha tenton të zhvlerësojë misionin e zotit Palmer për atë që ka bërë në Shqipëri.

Në fakt, korrigjimi i kufijëve është një gjë e keqe, mes të tjerash se na poshtëron ne shqiptarëve e serbëve, si dy popuj primitivë, që nuk jetojmë dot me njëri- tjetrin, ndërkohë që kemi shembuj të shkëlqyer bashkjetese.

Ja, Sali Berisha ka 40 vjet martuar me një serbe dhe nuk ja ka kthyer fjalën një herë. Nuk e di si shkon Palmer me Danicën, por jam i sigurtë që Berisha si dhëndër i Milicës është më shembullor.

Shpërndaje në: