Bylbyl Sokoli: Lokacioni i stadiumit nuk duhet të ndërrohet

Bylbyl Sokoli: Lokacioni i stadiumit nuk duhet të ndërrohet

Ditëve të fundit është bërë bujë e madhe sa i përket lokacionit të ndërtimit të stadiumit nacional të kombëtares së Kosovës, pasi zyrtari i lartë i LDK’së, Lumir Abdixhiku ka thënë se ekziston një marrëveshje brenda partisë që stadiumi të zhvendoset nga qyteti i Drenasit në afërsi të Prishtinës, Bërrnicë.

Sa i përket kësaj çështje për KosovaPress ka folur edhe trajneri i mirënjohur kosovar, Bylbyl Sokoli.

Sokoli tha se para një viti e ka dhënë idenë e tij rreth stadiumit kombëtar. Sipas tij që nga ajo kohë Kosova është dashur ti ketë dy stadiume për ndeshje ndërkombëtare.

“Para një viti kam fol për stadiumin e ri qe do të ndërtohet. Kam than se Kosova duhet rregulluar dhe me i mirëmbajt dy stadiume për ndeshje ndërkombëtare, atë të Adem Jasharit ne Mitrovicë dhe atë “Fadil Vokri” në Prishtinë. Kostoja e ndërtimit dhe të mirëmbajtjes të stadiumit të ri është shumë e lartë prandaj me mirë te ndërtohen 7-8 stadiume me nga 5-6.000 shikues neper qendrat e Kosovës”, tha fillimisht Sokoli.

Ndërkohë që sa i përket lokacionit të stadiumit, Sokoli u shpreh se nuk është e nevojshme të ndërrohet lokacioni për shkaqe politike, pasi që vendi ku është caktuar i plotëson të gjitha kriteret.

“Nëse është vendosur me u ndërtuar stadiumi i ri atëherë nuk duhet te ndërrohet lokacioni për shkaqe politike. Vendi ku është vendos i plotëson te gjitha kriteret e nevojshme për një stadium kombëtar ku do te zhvilloheshin ndeshjet ndërkombëtare”, përfundoi Sokoli.

Kujtojmë që për këtë çështje ka reaguar edhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport ditë më parë.

Shpërndaje në: