Bylbyl Sokoli tregon opsionin si zgjidhet situata e krijuar në FFK

Bylbyl Sokoli tregon opsionin si zgjidhet situata e krijuar në FFK

Bylbyl Sokoli nuk është aspak i kënaqur me situatën e krijuar në Federatën e Futbollit Kosovar, derisa ka ofruar opsioni për zgjidhjen e problemit.

FFK ka qenë shumë e përfolur në javët e fundit, pasi një grup opozitar, nën udhëheqjen e ish-zëvendëssekretarit të institucionit, Arianit Ahmeti, është bashkuar për ta rrëzuar presidentin aktual, Agim Ademi, raporton Periskopi.

Ahmeti pretendon se Agim Ademi nuk ka mandat katërvjeçar deri në vitin 2022, por vetëm deri ne vitin 2020, duke e konfirmuar vendosmërinë e tij për ta marrë postin e kryetarit në FFK.

Ai thotë se e ka mbështetjen e 41 prej gjithsej 59 delegatëve në FFK për ta rrëzuar Ademin nga posti i presidentit të FFK-së.

Pretendimin e Ahmetit fillimisht e mbështeti edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila doli me një interpretim ligjor, me 17 muaj vonesë, se kuvendi në të cilin Ademi ishte zgjedhur kryetar ishte i parregullt. Nga ky interpretim u distancua ministri në detyrë, Kujtim Gashi, i cili tha se ai s’ishte qëndrim i Ministrisë dhe se personi që e kishte publikuar atë e kishte bërë pa dijeninë e të tjerëve.

E këtë situatë, trajneri i ri i Flamurtarit, Bylbyl Sokoli e ka komentuar duke thënë se opsioni i vetëm për zgjidhjen e situatës është diskutimi.

“Të gjitha palët duhet të ulen në tavolinë dhe t’i sqarojnë gjërat, pa implikimin e politikës,” tha trajneri Sokoli.

“Njerëzit pa u ulë me bisedu, nuk mund t’i zgjedhin problemet, e vetmja mënyrë të zgjidhen problemet, është të ulen dhe të diskutojnë.” /Periskopi.com/

Shpërndaje në: