CEFTA e refuzon kërkesën e Kosovës që të përfaqësohet pa UNMIK

CEFTA e refuzon kërkesën e Kosovës që të përfaqësohet pa UNMIK

Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s në mbledhjen e fundit për vitin 2021, nuk arriti të zgjidhë çështjen e përfaqësimit të Kosovës pa UNMIK-un.

Përmes një letre, më 24 shtator të këtij viti, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kishte kërkuar nga CEFTA që Kosova të përfaqësohej pa përfshirjen e UNMIK-ut, por kjo është refuzuar në mbledhjen e Komitetit të CEFTA-s e cila është mbajtur të mërkurën.

“Komiteti i Përbashkët nuk miratoi letrën e Ministres Hajdari, për mungesë të konsensusit. Ndërkaq Kosova kundërshtoi miratimin e konkluzioneve ministrore dhe të tri propozim-vendimeve, duke përfshirë vendimin e propozuar nga Serbia për njohjen e programit të operatorëve ekonomikë të autorizuar si dhe buxhetin nga i cili paguhet stafi i sekretariatit të CEFTA-s. Komiteti i Përbashkët merr vendimet me konsensus të të gjitha palëve”, thuhet në njoftimin e MINT-së

UNMIK-u, si mision i përkohshëm i OKB-së, ka nënshkruar Marrëveshjen e CEFTA-s më 2006 në emër të Kosovës.

Sipas MINT-së, UNMIK-u asokohe ka deponuar deklaratë sipas të cilës vlefshmëria e marrëveshjes së CEFTA-s do të varet nga autoritetet e ardhshme të Kosovës.

“Tani që UNMIK-u nuk mban më pushtet ekzekutiv në Kosovë, Ministrja Hajdari ka kërkuar që autoritetet e Kosovës të përfaqësojnë veten si palë e barabartë. Parimi i barazisë, mosdiskriminimit dhe transparencës është garanci për të ecur përpara drejt zhvillimit më të shpejtë ekonomik dhe integrimit në BE”.

“Në elaboratin e saj, përkundër refuzimit dhe pengesës së ashpër të palës serbe, Ministrja Hajdari rikujtoi përkushtimin e Kosovës për të përmbushur detyrimet nga CEFTA, andaj këmbënguli se Kosova duhet të gëzojë të drejtën e trajtimit të barabartë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministrja Hajdari shtoi se letra për përfaqësimin e Kosovës pa UNMIK-un nuk duhet të shihet si çështje politike, por si domosdoshmëri për të lehtësuar funksionimin e CEFTA-s qe do te lehtësojë zgjidhjen e shumë çështjeve tregtare të pazgjidhura dhe përshpejtojë integrimin ekonomik rajonal.

Po ashtu Hajdari ka përmendur edhe barrierat e rënduara që Serbia po zbaton ndaj Kosovës duke theksuar se ato janë shkelje e rëndë e Marrëveshjes së CEFTA-s dhe e parimeve themelore të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Shpërndaje në: