Çfarë sugjerojnë psikologët për të shmangur stresin gjatë këtyre ditëve

Çfarë sugjerojnë psikologët për të shmangur stresin gjatë këtyre ditëve

Për shumë njerëz është tejet e vështirë që gjatë këtyre ditëve të qëndrojnë të qetë ndërsa marrin informacione pa fund rreth përhapjes së koronavirusit. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Maxim Moskalkov bisedoi me psikologët lidhur me disa prej mënyrave efektive për të luftuar ankthin e për të qëndruar të qetë gjatë kësaj periudhe sfiduese.

Gjatë këtyre ditëve është e vështirë të mos shohësh lajmet në televizor që shfaqin ndër të tjera grafikë shqetësues rreth përhapjes së koronavirusit. Për disa njerëz kjo shkakton panik dhe rrit nivelin e ankthit. Sipas psikologes dhe shkencëtares Mary Alvord, paniku është një reagim i natyrshëm i njeriut ndaj stresit.

“Ka të bëjë me atë se çfarë ndjejmë kur kemi nevojë për të mbijetuar. Ndaj ju shihni rafte në dyqane të boshatisur nga uji edhe pse nuk ka mungesë uji. Në të vërtetë nuk kemi nevojë për pesë koli me uji. Tashmë dyqanet po kufizojnë sasinë që blihet nga çdo individ, në dy të tilla”, thotë Mary Alvord, Drejtore e Kërkimeve Klinike, në Shoqatën Amerikane të Psikologëve.

Psikologët shtojnë se është jashtëzakonisht e rëndësishme të dish se ku t’i zgjedhësh lajmet gjatë këtyre ditëve në mënyrë që të jesh i mirë-informuar. E rëndësishme është thotë ekspertja është që të kontrollosh emocionet e të shmangësh panikun.

“Madje mund ta shohim këtë gjë si mundësi. Po të qëndroni në shtëpi më shumë, mund të lidheni me të afërmit ose miqtë me të cilët nuk keni folur për një kohë të gjatë …çdo krizë mund te shihet si mundësi”, thotë ajo.

Psikologia Vaile Wright thotë se nuk duhet të nënvlerësojmë fuqinë e rutinës. Programimi dhe rutina na ndihmojnë të ruajmë qetësisë dhe na jep ndjesinë e normalitetit që shumë njerëz mendojnë se u mungon.

“Për t’u përgatitur mendërisht, duhet të bësh gjëra të tilla sikurse të kujdesesh për veten. Është vërtet e rëndësishme që të ruash rutinën, të shkosh në shtrat në të njëjtën kohë çdo natë, e të zgjohesh në mëngjes sikurse gjatë një dite të normale pune. Mos e trajto si një ditë dëbore, por bëj dush e vishu. Hani vaktet si gjithmonë…

Psikologia klinike Irina Meliksetyan shton se mënyra se si një person i përgjigjet një situate krize varet shumë nga natyra e gjithësecilit.

“Do të jetë më e vështirë për ata që janë tipa kryesisht të mbyllur, që janë ndërkohë të përfshirë nga ankthi, të jetojnë nën stres të vazhdueshëm. Ata ndjehen veçanërisht të izoluar pasi nuk mund të takohen me njerëzit tek të cilët janë mësuar të mbështeten. Por fatmirësisht të gjithë kemi teknologjinë, kemi Skype e FaceTime. Kjo na ndihmon të vazhdojmë të komunikojmë me të dashurit, të tregojmë dhembshuri, apo se jemi të kujdesshëm, si dhe ndërkohë të dimë që të tjerët po kujdesen për ne”.

Për rastet e rënda të panikut, psikologët thonë se frymëmarrja në mënyrën e duhur mund të ndihmojë në uljen e stresit e niveleve të ankthit.

“Merrni frymë shumë ngadalë, pastaj nxirreni. Bëjeni të paktën tre herë dhe do të vini re që ankthi dalëngadalë do të largohet. Mundohuni të qëndroni pozitiv e të qetë. Kjo është diçka që të gjithë ne duhet ta kalojmë”.

Mjekët dhe psikologët theksojnë rëndësinë e informimit vetëm nga burimeve që përcjellin lajme të sakta si dhe bisedat me specialistë. Sipas tyre njohja e fakteve përbën një prej taktikave kryesore për të luftuar pasigurtë e ankthin.

Shpërndaje në: