Challandes nuk punonte vetëm si trajner i Kosovës, ka edhe një punë të dytë

Periskopi.com Sporti

Bernard Challandes ka merita të padiskutueshme për ngritjen e nivelit të Kombëtares së Kosovës në futboll, kategoria e djemve, por për këtë punë paguhet afër 300 mijë frangave në vit.

Paga e tij te Kosova në fakt është e njëjtë me atë të përzgjedhësit të Zvicrës, Vladimir Petkoviqit, e i cili do të jetë pjesë e 2020 pasi u kualifikua me Zvicrën.

I pyetur për pagesën, trajneri i Kosovës ishte shprehur si vijon: “Unë nuk ankohem. Krahasuar me standardin e jetës së vendit, shpërblehem po aq sa Petkovici. Ngjashëm si në Armeni, as këtu nuk ka kurrë vonesa në pagë”.

Përveç kësaj, ai po ashtu kishte marrë bonuse nga Qeveria e Kosovës për triumfin në Ligën e Kombeve, shkruan Periskopi.

Por, trajnerit që nuk banon në Kosovë i është lejuar që të vazhdonte edhe me një punë të dytë.

Ai vazhdon të jetë agjent i talenteve te klubi i mirënjohur zviceran Basel, dhe besohet se ka qenë vendimtar në huazimin e Edon Zhegrovës nga Genku në këtë klub në janar të këtij viti.

Se çfarë page merr nga Baseli kjo nuk është e ditur por që një federatë futbolli t’i lejojë trajnerit të saj të punojë edhe diçka tjetër kjo mund të dëgjohet vetëm në kombëtaret e dobëta të Oqeanisë së largët.

Ndërkohë, gjatë kohës sa Challandes punonte për kombëtaren e Armenisë, ai ishte detyruar që të banonte në Armeni [në Jerevan] dhe natyrisht, të mos punonte askund tjetër.

Shpërndaje në: