Chiellinit i hyri në punë diploma, luajti rolin e shefit në uljen e pagave

Chiellinit i hyri në punë diploma, luajti rolin e shefit në uljen e pagave

I njohur për agresivitetin në fushën e lojës, qendërmbrojtësi Giorgio Chiellini po tregohet shumë efektiv edhe në dhomën e bordit të klubit, por si ndërmjetësues.

Kapiteni i Juventusit, që ka diplomë të Masterit në administrimin e biznesit, ka qenë njeriu që negocioi edhe për bashkëlojtarin milioner si Cristiano Ronaldo me zyrtarët tjerë të klubit, kur lojtarët u pajtuan që ta ndihmonin ekipin në kohën e krizës së krijuar pas përhapjes së koronavirusit.

Në fakt, Chiellini ishte më meritori në këtë marrëveshje, që i kurseu Juventusit rreth 90 milionë euro. Kjo ishte marrëveshja e parë e tillë në Serie A mes një klubi dhe lojtarëve prejse u pezullua kampionati në Itali. Njëherësh, Juventusi u ka dhënë shembull edhe skuadrave tjera elitare të Italisë që tashmë po e përcjellin edhe në këtë drejtim.

“Chiellini foli me presidentin e klubit, Andrea Agnelli, e më pas edhe me ne”, ka zbuluar sulmuesi i Juventusit, argjentinasi Paulo Dybala, i cili ishte njëri prej tre lojtarëve të Juventusit që u prek nga koronavirusi. Krahas tij, me koronavirus te Juventusi u prekën edhe qendërmbrojtësi Daniele Rugani e mesfushori Blaise Matuidi.

“Ne kemi diskutuar në rrjete sociale dhe kishte opsione të ndryshme. Ka pasur futbollistë që për një ose dy ndeshje ta arrijnë bonusin, por kjo ka qenë gjëja më e mirë për t’u bërë në këtë kohë të vështirë për të gjithë”, ka shtuar Dybala.

Marrëveshja e arritur i mundëson Juventusit që të mos i paguajë katër muaj të pagave apo 1/3 e pagave të futbollistëve, përpara se ta mbyllë vitin kalendarik fiskal më 30 qershor. Këto para të ruajtura janë shumë të rëndësishme për krerët e klubit.

Edicioni i pezulluar në Serie A nuk dihet se kur do të rifillojë, por deri para pezullimit ishin të zhvilluara 26 xhiro kurse Juventusi është lider me 63 pikë të mbledhura. Italia së bashku me Spanjën janë dy prej shteteve më të prekura në Evropë nga pandemia e Coronavirusit.

Shpërndaje në: