Çifti 70 vjet martesë, vdiqën brenda pak minutash nga COVID-19, tri ditë para vaksinimit

Çifti 70 vjet martesë, vdiqën brenda pak minutash nga COVID-19, tri ditë para vaksinimit
Një çift bashkëshortor në SHBA është bërë lajm këto ditë dhe historia e tyre ka prekur zemrat e mijëra njerëzve.

Burë e grua vdiqën më 16 janar në një spital në shtetin amerikan të Ohios, duke mbajtur duart e njëri-tjetrit.

Dick Meek vdiq në moshën 89 vjeçare, kurse gruaja e tij Shirley, në moshën 87 vjeçare.

Doza e parë e vaksinës ishte planifikuar t’u jepej më 19 janar, ditë kur Dick do të festonte 90-vjetorin e lindjes. Ai dhe Shirley u takuan në shkollën e mesme dhe që prej asaj kohe janë bashkë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ata shënuan 70-vjetorin e martesës së tyre.

Ata lanë pesë fëmijë, 13 nipa dhe 28 stërnipa. Sipas anëtarëve të familjes, ata kaluan jetë të lumtur familjare.

“Ata nuk ishin të njëjtë me moshatarët e tyre. Ata ishin shumë, shumë të shëndetshëm, njerëz të gjallë. Ata na lanë kaq shpejt”, tha vajza e tyre Debbie Howell, raporton CNN.

Testet e kryera më 26 dhjetor treguan se ata ishin pozitivë në koronavirus.

Kishin simptoma dhe fillimisht menduan se bëhej fjalë për ndonjë ftohje. Ditët kaluan, e simptomat u bënë më të theksuara për çka edhe u testuan.

Dick u shtrua në spital më 2 janar, kurse gruaja e tij dy ditë më vonë.

Image

Siç thotë vajza e tyre Debbie, kishte ditë kur ata ishin optimistë për shërimin e tyre të shpejtë, por problemet në mushkëri po rriteshin nga dita në ditë.

Duke kuptuar situatën se mund të ishin ditët e fundit të tyre, familjarët i kërkuan spitalit t’i vënë në një dhomë.

“Ne nuk donim t’i ndanim, pasi gjëja më e rëndësishme në jetën e tyre ishte të ishin së bashku. Ne donim që ata të ishin në gjendje të mbanin duart e njëri-tjetrit. Ne donim që ata të dëgjonin muzikën e tyre të preferuar”, tha Debbie.

Shirley vdiq e para, kurse Dick disa minuta më vonë.

Familjarët thonë se u ngushëlluan nga fakti që ata vdiqën duke mbajtur duart e njëri-tjetrit dhe u shprehën mirënjohës ndaj stafit të spitalit për kujdesin dhe respektin e treguar për dy javë.

Image

Shpërndaje në: