Cikalleshi dhe Daku të kenë kujdes për listën e Euro 2024: Manaj me 8 gola në 13 ndeshje po i jep sinjale Sylvinhos
Sulmuesi shqiptar Rey Manaj, po kalon ditët e tij më të mira që prej transferimit në kampionatin turk tek Sivasspori.
Manaj për më shumë se pesë muaj ishte lojtar i lirë pas largimit nga Watfordi dhe vetëm në gusht të këtij viti u bë me “shtëpi” të re.
Kjo lëvizje doli të ishte e duhura për të, pasi Manaj po shkëlqen në këtë edicion të ri të garave, duke qenë njëri ndër lojtarët më në formë të ekipit.
26-vjeçari ka shënuar 8 gola në 13 ndeshje të luajtura këtë sezon ku 3 prej tyre erdhën ndaj Trabzonspor dhe Fenerbahce.
Kjo formë e tij e mirë padyshim qe nuk mund të kalojë pa rënë në sy të stafit të trajnerëve të kombëtares së Shqipërisë.
Megjithëse konkurrenca për një vend në kombëtare është e ashpër, UEFA ka vendosur që për këtë turne të thirren vetëm 23 lojtarë dhe jo 26 siç ka qenë më parë, duke e bërë kështu procesin e përzgjedhjes më të vështirë për trajnerin Sylvinho.
Manaj me tetë gola të shënuar, është sulmuesi më në formë i Shqipërisë dhe menjëherë pas tij vjen Ernest Muçi me shtatë sosh, andaj nëse vazhdon me këtë formë, me shumë mundësi do ta fitojë një vend në ekip për të përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatin Evropian që do të mbahet në Gjermani.