Çiklisti Qëndrim Guri pëson aksident në Rio

Çiklisti Qëndrim Guri pëson aksident në Rio

Çiklisti kosovar Qëndrim Guri është përfshirë në një aksident rrugor në Rio de Janeiro. 22-vjeçari, sipas “DailyMail”, është goditur nga një veturë teksa ngiste biçikletën e tij në “Avenida das Americas”, autostrada më e madhe në zonën perëndimore të Rios, sot rreth orës 14:00 në kohën lokale në Brazil.

Sipas raportimeve, Guri ishte dërguar menjëherë në emergjencë, por pas kontrollimit u tha nga mjekët se gjendja e tij është stabile.

Garën e tij në Lojëra Olimpike, Guri e përfundoi më 6 gusht, por ka shfrytëzuar mundësinë për të vazhduar në këto lojëra edhe pse është eliminuar.

Anëtarë të Komitetit Olimpik të Kosovës kanë konfirmuar për KTV-në aksidentin e Gurit. “Ai është goditur nga një veturë, është në spital duke marrë trajtim mjekësor dhe shpejt pritet të lirohet”, thuhet në konfirmim.

 

Shpërndaje në: