Cilat maska kanë efekt në parandalimin e koronavirusit

Periskopi.com Shëndeti

Maskat për mbulimin e rrugëve të frymëmarrjes janë bërë produkti më i kërkuar pothuajse në gjithë botën.

Për shkak të kërkesave të tregut, industria i ka shumëfishuar çmimet dhe një gjë e tillë ka ndodhur edhe në Kosovë.

Në Hong Kong, raporton New York Times, para Vitit të Ri një pako me 50 maska ka kushtuar 6.5 dollarë. Sot çmimi është dyfishuar, dhe madje nuk mund të gjesh fare në stokun e barnatoreve, shkruan Gazeta Shneta.

Çmimi i maskave u raportuar të jetë shumëfishuar edhe në Itali, ku koronavirusi i ri Covid-19 u përhap me shpejtësi tek qindra persona brenda 2-3 ditësh. Atje mori edhe jetë ku deri më tani numërohen 7 viktima.

Çmimi i maskave është rritur ndjeshëm edhe në Kosovë. Gjatë ditës së djeshme u raportua nga mediat se një maskë kirurgjike e cila ka kushtuar 0.10 euro, tani po kushton nga 0.40 deri 0.50 euro. Por madje edhe raftet e barnatoreve të Prishtinës janë zbrazur për shkak të kërkesave të shumta.

Por sa e parandalojnë maskat kirurgjike virusin?

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon përdorimin e maskës në vendet ku rrezikoheni të infektoheni nga virusi. Sipas rekomandimeve nga OBSH, maskat duhet të përdoren nëse jeni duke pasur kontakt me një person i cili dyshohet se është infektuar me Covid-19, apo nëse teshtini. Por maskat janë efektive vetëm nëse përdorimi i tyre bëhet në kombinim me pastrimin e shpeshtë të duarve me sapun, krema me bazë alkoolin dhe ujë.

Por mikrobiologu Dr. Manal Mohammed në Britaninë e Madhe, thotë për ‘DailyMail’ se ka pak evidenca se maskat kirurgjike mund të parandalojnë marrjen e virusit. Sipas tij virusi shpërndahet nëpërmjet spërklave nga njerëzit e infektuar të cilat mund të udhëtojnë në disa metra, prandaj maskat kanë efekt të limituar.

“Problemi është se maska nuk supozohet të mbrojë kirurgun, por të mbrojë pacientin nga spërklat që mund të dalin nga goja apo hunda e kirurgut dhe të bien në plagën e pacientit”, thotë ai.

Por maskat të cilat kanë filtra të ajrit mund të kenë efekt më të madh në parandalimin e virusit. Maskat e njohura FFP (Filtering face pieces), ndahen në disa kategori dhe FFP1 është niveli më i ulët, ndërsa FFP3 është më e avancuara e cila mban jashtë pothuajse 99 për qind të ndotësve në ajër, përfshirë edhe viruset.

Një maskë e tillë në ‘Amazona’ kushton mbi 60 dollarë, por sipas mikrobiologut Mohammed dhe ekspertit të mbrojtjes personale Nick Moore, kjo maskë FFP3 mund të parandaloj virusin.

Shpërndaje në: