Çitaku thotë se Kurti po bën vizitë studimore në SHBA

Çitaku thotë se Kurti po bën vizitë studimore në SHBA

Albin Kurti ka përfunduar vizitën e tij 16 ditore në Amerikë, në atë që është më e gjata e ndonjë kryeministri kosovar atje.

Përkundër këtij fakti, shefi i ekzekutivit, nuk është se pati ndonjë takim me ndonjë zyrtar të lartë amerikan të Departamentit të Shtetit apo të Shtëpisë së Bardhë.

U mjaftua veç me takime me drejtues të bizneseve e të kompanive teknologjike.

Andaj, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, turin kryeministror po e sheh të zbehtë.

“Më shumë ngjason në një vizitë studimore, sesa në një vizitë zyrtare”, u shpreh Çitaku.

Takimet si ato që zhvilloi kryeministri, sipas saj, mund t`i realizonte një zyrtar i rangut më të vogël.

“Së pari, është tërësisht e parendomtë që një kryeministër në detyrë të qëndrojë gati 3 javë në një vizitë diku tjetër, për te realizuar takime të cilat do te duhej t’i realizonte ndonjë Ministër apo këshilltar i fushës. Kryeministri nuk u prit as nga Sekretari i Shtetit, as nga ai i Mbrojtjes, as nga Presidenti apo zv.Presidentja”, theksoi Çitaku për “Front Online”.

Krejt çka vlerësoi deri diku, numri dy i PDK-së, ishin takimet në kongres.

“Takimet në Kongres janë të mirëseardhura, por që të njëjtat takime në dhomën e përfaqësueseve, e edhe në nivel më të lartë, i pati Presidentja Osmani pak ditë më parë”, deklaroi Çitaku. Për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti kishte udhëtuar më 6 maj.

Nga atje, të hënën (sot) ka ateruar në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që mbahet në Davos/Klosters.

Aty do të takohet me përfaqësues të kompanive të ndryshme dhe liderë politikë si dhe do të marrë pjesë në panelin “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor”.

Shpërndaje në: