Çka do të bënte po të ishte kryeministër me AAK-në e Nisman? Haziri jep përgjigje të prera për zhvillimet politike

Çka do të bënte po të ishte kryeministër me AAK-në e Nisman? Haziri jep përgjigje të prera për zhvillimet politike

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëkohësisht kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në një intervistë për Persikopin ka folur për çështjen e presidentit, koalicionin me AAK’në e Nismën, si dhe për zhvillimet të tjera politike në vend.

Haziri ka dhënë përgjigje të prera se s’i do të vepronte po të ishtë ai në vend të kryeministrit aktual, Avdullah Hoti me partnerët e koalicionit.

Ai po ashtu, ka folur edhe për raportin e Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor për lajmet e rreme, raport ky në të cilin përmendet edhe partia e tij dhe kryetari i LDK’së, Isa Mustafa.

Intervista e plotë:

Periskopi: Z.Haziri, sipas jush, kujt duhet t’i takojë posti i Presidentit dhe si po i shihni zhvillimet aktuale politike në vend?

Lutfi Haziri: Posti I Presidentit duhet t’i takojë Republikës. Ka ardhë koha që partitë politike të tërhiqen nga kërkesat partiake dhe të ofrojnë compromise për një post I cili Republikës I jep President. Në të kundërtën, kjo klasë politike po dëshmon që nuk po mund ta arrijë formatin e Hashim Thaçit për të zgjedhur President.

Periskopi: Z.Haziri, e pamë se si Vetëvendosja e rrëmbeu bastionin e LDK-së në Podujevë. Një pyetje që iu intereson shumë lexuesve tanë është: a do ta fitonte Vetëvendosja Gjilanin në rast se do të kishte zgjedhje aktualisht?

Lutfi Haziri: Është paragjykyese sepse nuk e ka rrëmbyer Podujevën. Ka qenë një garë në mes të dy kandidatëve në Podujevë, ku kandidati i VV’së, si ish-kuadër i LDK’së, e ka marrë besimin. Por, partitë politike nuk janë ndeshur drejtpërdrejt. Në rezultatin e fundit, LDK është është partia më fortë politike atje. Për Gjilanin, vjen koha. Shihemi në zgjedhje. Do të shihet për secilën parti sa përfaqëson e çka përfaqëson. Nuk është barometër në politikë kur fshihesh pas lisit të madh (pas liderit) për t’i fituar zgjedhjet e as fitorja e zgjedhjeve me mercenarë politikë.

Periskopi: Z.Haziri, ju shiheni gjerësisht si një personalitet shumë i fuqishëm, jo vetëm brenda LDK-së. Po të ishit kryeministër, a mendoni se partnerët qeveritarë – në këtë rast AAK me Nismën – do të kishin sjellje më korrekte?

Lutfi Haziri: Njejtë, besoj. Bashkëpunimi politik brenda kabinetit qeveritar duhet të jetë në kuadër të marrëveshjes politike për program qeverisës. As më shumë e as më pak. Kështu që, të gjithë partnerët në qeveri duhet ta repektojnë njëri-tjetrin, por ai kabinet e ka vetëm një kryeministër.

Periskopi: Për studimin e Parlamentit Evropian për dezinformatat në mediat e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Kosova. Në këtë studim më së shumti atakohet LDK’ja. Si e komentoni ju këtë?

Lutfi Haziri: Fake news është problem global, nuk është vetëm problem i Europës. Edhe populizmi është problem global. Në të dyja rastet, civilizimi po ballafaqohet me këtë sfidë, e cila besoj që është në rënie në shumicën e qendrave të mëdha politike. Besoj edhe në Kosovë shkon drejt rënies dhe zgjidhjes së këtij problemi. Unë nuk e shoh që ai raport është ndërtuar mbi bazën e parametrave real në Kosovë, por është ndërtuar, po ashtu, mbi bazë të prodhimit të informative të rrejshme. Dhe, kur një raport i cili e lufton lajmin e rrejshëm dhe ndërtohet mbi lajmin e rrejshëm, atëherë dyfishohet problemi./Periskopi/

Shpërndaje në: