Çka është zhvillimi politik?

Çka është zhvillimi politik?

Zhvillimi politik. Ky është togfjalëshi që shërben si lëndë djegëse për t’i gjeneruar shumicën dërrmuese të debateve e të lajmeve në vendin tonë. Ky togfjalësh ka rritur tregun e punës duke prodhuar gazetarë, analistë, opinionistë, aktivistë e politikanë derisa njëkohshëm ka harxhuar kohën e njerëzve jogazetarë, joanalistë, joopinionistë, joaktivistë e jopolitikanë. Pa zhvillimin politik, industria e mediave do të rrudhej në përmasa alarmante nëse nuk do të riorganizohej me themel.

Por, çka është zhvillimi politik?

Mendoj se në rastin tonë zhvillimi politik është e kundërta ekzakte e asaj së cilës i referohet, pra është një jozhvillim jopolitik. Një sëmundje krejtësisht endemike që infekton vetëm njerëzit që e flasin një gjuhë specifike dhe që kanë një set idesh specifike të përbashkëta.

Pra, ky zhvillim politik që në të vërtetë është një ngecje jopolitike buron/graviton vetëm nga/rreth atyre që i quajmë politikanë ose parti politike. Por, pse është jopolitik atëherë? Sepse i mbulon të gjitha antagonizmat, ndasitë, e kësisoj edhe pozicionet, telashet, ambiciet e interesat e qytetarëve, e kësisoj edhe krejt ekzistencën e tyre. Dhe të gjitha këto janë politike. Ndërveprimi ynë me botën është politik. Interesi ynë privat është politik. Pozicioni ynë social e ekonomik është politik.

T’i kthehemi një fjale që e përmendëm më lart: interesit privat. Shihni fatin e kësaj fjale brenda zhvillimit politik. Interesi privat u konceptua gjerësisht në të kundërtën e interesit publik. I ndershmi mbivendoste interesin publik ndaj interesit të tij privat. Dhe për rrjedhë, interesi publik nuk ishte mbledhja e interesave private por mohu i tyre i përhershëm. Brenda fanatizmit fetar të përvjedhur në diskursin publik, interesi privat u përbuz për shkak të gjallësisë, vitalitetit dhe forcës. Ndërkohë, interesi publik – në abstraktësinë e tij të koncepteve metafizike – mbiçmohet duke qenë përgjithnjë i mjegullt, i errët, i padukshëm. Referenca e këtij togfjalëshi në vend se të ishte e pakonsoliduar (ashtu siç është në të vërtetë) brenda vetëkuptueshmërisë së gjuhës specifike u bë e mbyllur, solide dhe e patematizueshme.

Ky interes publik që paraqitet me zell fanatik ishte përgjithësisht eufemizmi për konceptin absurd të “të mirës” ndërkohë që e kundërta e tij (mos të ngatërrohemi, “e kundërt” vetëm brenda kësaj gjuhe specifike) ishte “e keqja”.

Por, pse ajo që në dukje është stër-politizim në fakt përvjedhurazi bën de-politizimin e qytetarëve?

Shikuesit e një shfaqjeje në teatër derisa e shohin një shfaqje të caktuar teatrale shkëputen përkohshëm nga të gjithë përcaktorët e jetës së tyre private. Imagjinoni sikur këta shikues të jenë duke e parë atë shfaqje teatrale çdokund, në çdo televizion e portal. Dhe imagjinoni sikur shfaqja teatrale të mos jetë e paraqitur si shfaqje teatri por si zhvillim politik.

Ta zëmë, në fund të marsit kryeministri Kurti e shkarkoi ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, për shkak të një deklarate në lidhje me koronavirusin e ri. Një herë u tha se ajo deklaratë ngjallte frikë, e më vonë se ajo ishte në sinkron me planet e presidentit. Po atë natë, ose një ditë më vonë, kryeministri e thirri një konferencë për medie dhe foli rreth 2 orë mbi arsyet e shkarkimit.

Sidoqoftë, më vonë doli se ajo deklaratë nga Veliu nuk kishte qenë aspak arsyeja prapa shkarkimit. Ishte presioni amerikan që – sipas vetë Kurtit – nxiti shkarkimin e qeverisë së tij duke nënkuptuar kështu që të gjitha arsyet e tij mbi shkarkimin e Veliut kishin qenë të rreme. Cili ishte kuptimi për ato dy orë në konferencën për media? Ose, cili ishte kuptimi për atë debat të egër mbi atë çështje?

Një kotësi e tillë fshihet në shumicën dërrmuese të debateve të hapura gjatë kësaj periudhe. Dhe, pikërisht këto debate serike – duke qenë serike, të gjithëpranishme, qendrore, të zhurmshme – vodhën vëmendjen madje edhe prej ngjarjeve për të cilat kishim dëshmi se ishin të vërteta.

Për shembull, kriza e pandemisë. Kjo krizë u eklipsua menjëherë prej veprimeve e interpretimeve të njerëzve që qëndrojnë prapa, përreth e përmbi këtyre të ashtuquajturave zhvillime politike. Kjo krizë u përtyp dhe u tret nga fuqia mbresëlënëse e debateve serike. Njëra palë me meskinitet brutal po shprehte entuziazmin që i ra në dorë menaxhimi i njerëzve si të ishin thjesht trupa, në një biopolitikë të vrazhdë që vendoste e hiqte masa sipas tekeve e që bile i ndërronte nganjëherë edhe dy herë në ditë. Pala tjetër kërkonte rreptësi dhe shkelje edhe më brutale të të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Por, të paktën pandemia na tregoi idetë antropologjike të zhvillimit politik. Pandemia bëri që qeveritë dhe mbarë politika të ishte e shtrënguar që të na shihte si të ishim trupa kafshësh. Natyrisht që ne jemi trupa kafshësh, por nuk jemi thjesht trupa kafshësh. Ajo që kishte rëndësi ishte thjesht shpërndarja hapësinore e trupave. E ndërkohë që na bëhej një thirrje përsëritëse që të rrinim në shtëpi, siç do t’i thuhej ta zëmë një qeni. Duhet thënë se kështu ndodhi gati në krejt vendet e Evropës, duke përjashtuar Suedinë.

Shkelja e të drejtave dhe lirive ndodhi duke përdorur si arsyetim pandeminë. Njësoj, mbulimi i përhershëm i çështjeve të rëndësishme sociale e ekonomike ndodh duke përdorur si arsyetim temat e mëdha. Për zhvillimin politik vendor, njeriu është pak më shumë se trup i infektueshëm e infektiv. Duke qenë viktimë e një sistemi të dobët arsimor, ai është një mendje e infektueshme dhe infektive.

Në fakt, shumë para pandemisë qytetari duhej të rrinte vazhdimisht në përcjellje të lajmeve e debateve që tematizonin ‘zhvillimet politike’. Ai duhej të qëndronte para televizorit dhe të ishte i gatshëm si komentues, votues duke u mobilizuar sa herë që ishte nevoja.

Sidoqoftë, ka një sidoqoftë këtu. Një sidoqoftë e rëndësishme. Shumica e qytetarëve nuk votojnë në Kosovë që nënkupton se një pjesë e madhe prej tyre janë politikisht jo-votues. Mos-votimi e mos-pjesëmarrja në debatet e kota të të ashtuquajturës politikë ditore është angazhimi i vetëm politik serioz aktualisht. Pse? Debati publik është i stërfokusuar te veprimet, fjalët e absurditetet e një grushti njerëzish dhe kjo duhet të përfundojë. Debati publik aktualisht nuk është publik sepse shërben thjesht për interesat private të këtij grushti njerëzish ndër-luftues. Ai duhet të zgjerohet përmbajtësisht ashtu siç duhet të zgjerohet zhvillimi politik duke u bërë tamam politik nga përfshirja e një varg temash jogravituese kah lufta e partive politike.

Shpërndaje në: