Çka ju tha amerikanëve për taksën dhe a doli Haradinaj i nervozuar nga takimi – Avni Arifi flet për Periskopin

Çka ju tha amerikanëve për taksën dhe a doli Haradinaj i nervozuar nga takimi – Avni Arifi flet për Periskopin

Shefi i Kabinetit të Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, Avni Arifi në një deklaratë për Periskopin ka folur për takimin e sotëm që patën me presidentin Hashim Thaçi dhe zyrtarët amerikanë, John Erath dhe Brad Brekley.

Arifi ka thënë për Periskopin se nuk janë të vërteta raportimet e medieve se kryeministri Haradinaj ka dalë i nervozuar nga ky takim, për shkak të kërkesës së zyrtarëve amerikanë për pezullimin e vendimit për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe.

“Është shpifje. Kryeministri ka dalë nga takimi kur është kryer ai. Takimi ka përfunduar në mënyrën më miqësore të mundshme”, ka thënë Arifi.

I pyetur për çështjen e taksës dhe qëndrimin e Haradinajt në takim me amerikanët, Arifi u përgjigj shkurt.

“Vendimi i Qeverisë për taksën mbetet në fuqi. Ai nuk hiqet”, ka thënë Arifi për Periskopin.

Takimin e sotëm, Haradinaj e Thaçi e zhvilluan me drejtorin kryesor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath, si dhe me drejtorin për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA’së, Brad Berkley.

Në një njoftim të Presidencës u tha se me zyrtarët amerikanët është biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për situatën politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Madje aty u bë e ditur se amerikanët kanë kërkuar suspendimin e taksës, gjë që është mbështetur  nga presidenti Thaçi.

“Erath dhe Berkley “kanë ripërsëritur qëndrimin e qartë të administratës amerikane që taksa duhet të suspendohet me qëllim që të vazhdojë dialogu dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi i ka siguruar zyrtarët e lartë amerikanë se me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, Republika e Kosovës nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe miqësinë me SHBA-në. Institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin së më shpejt veprime konkrete në përputhje më këshillat miqësore të SHBA-së. Këto vendime duhet të jenë në funksion të ruajtjes dhe forcimit të bashkëpunimit strategjik me SHBA-në dhe me përkushtimin tonë shtetëror për dialog dhe marrëveshje paqësore”, citohet të ketë thënë presidenti Thaçi në takim.

Ndërsa, në një njoftim të Qeverisë u tha se Haradinaj tha se Republika e Kosovës është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme për të forcuar demokracinë dhe institucionet e saj.

“Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 shkurtit 2008. Po ashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai shtoi se Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu, kryeministri Haradinaj në takim me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së tha se Kosova mbështetet në vlerat e një shoqërie shumetnike, të bazuar në të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e saj, duke vlerësuar se Kosova i mbetet besnik miqësisë së përhershme dhe bashkërendimit të politikave me SHBA.

Periskopi pak më parë raportoi se kush janë dy zyrtarët amerikanë që zhvilluan takime me presidentin dhe kryeministrin sot.

John Erath është një zyrtar i jashtëm amerikan i cili karrierën e tij e nisi në vitin 1990 duke shërbyer në Ballkan. Përveç një turneu në Beograd, ai ka punuar edhe në zyrën e OSCE-së në Kosovë dhe në Zyrën e Përfaqësuesit të lartë në Sarajevë. Në Ballkan, ai shërbeu në NATO dhe në Zyrën e Sekretariatit të Mbrojtjes. Erath po ashtu ka përvojë të gjerë në kontrollin dhe mospërhapjen e armëve, teksa ka punuar në delegacionin e Traktatit të Forcave Konvencionale në Evropë (CFE) dhe ka udhëhequr Delegacionin e SHBA-së në Grupin punues për Marrëveshjen e Wassenaar-it.
Ai ka mbajtur edhe pozita diplomatike në Indi dhe Brazil. Kohët e fundit, ai ka drejtuar Zyrën e Çështjeve Politiko-ushtarake në Ambasadën e SHBA-së në Ankara.
Erath është i diplomuar në Universitetin Georgetown dhe ka diplomë Master në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare nga Kolegji Kombëtar i Luftës në Uashington. Ai është autor i disa artikujve mbi historinë ushtarake dhe dy dramave, shkruan GCSP, transmeton Periskopi.

Kurse Brad Berkley është udhëheqës i Çështjeve Europiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Ai mbikëqyrë dhe koordinon Politikat e Jashtme të Qeverisë së SHBA-së për më shumë se një duzinë vendesh në Evropën Qendrore, Lindore dhe Ballkanin Perëndimor. Berkley po ashtu ka shërbyer si Zyrtar i Lartë i CIA-s, me ç’rast ka marrë dy medalje për punën e tij nga kjo agjenci.

Ai po ashtu ka punuar për shërbimin e inteligjencës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në SHBA. Lidhur me punën e tij në shërbimet e integligjencës, në vitin 2009 ai ka marrë  një çmim për artikullin më të mirë./PERISKOPI

 

 

 

 

Shpërndaje në: