Çka kërkon Sali Berisha që del sot në rrugë?

Ylli Pata Lajme

Dalja e Sali Berishës sot në rrugë, me aradhën që e mbështet, është realisht thelbi i lëvizjes së tij të dështuar për të hyrë në sistemin politik shqiptar.

Sali Berisha, e nisi lëvizjen e tij, kur Lulzim Basha e largoi nga grupi parlamentar i PD-së, si pasojë e shpalljes non grata nga SHBA.

E në atë kohë, si papritur, pasi kishte pëkrahur rizgjedhjen e Lulzim Bashës pasi humbi zgjedhjet e 25 prillit, pasi pranoi dhe u përqafua në Kuvendin e PD-së, papritur ju vërsul “djalit” të tij politik, duke ja kundërshtuar të gjitha lëvizjet.

Por jo vetëm kaq, mori përsipër t’i marrë partinë. E me Foltoren Berisha realisht tentoi të marrë PD-në, duke e fshehur lëvizjn e tij personale me statutin, apo edhe pakënaqësitë që mbështetësit e PD-së kishin ndaj Bashës, që arriti deri në superfoltoren e Air Albania, dhe referendumin tipik Berishjan të së shtunës.

Megjithatë, Sali Berisha, jo vetëm që nuk e mori PD-në, por arriti të provokojë një lëvizje të rëndësishme antiberishjane apo deberishiane në PD, çka tani po përjeton vetëm fillimin.

Pra në thelb Sali Berisha, jo vetëm që nuk e ka marrë Partinë Demokratike, por ka bërë që si pasojë e reaksionit të vet, të provokojë kundërreaksionin, i cili ka bërë që PD-ja të hapë një faqe të re, krejt të re, apo distancim nga berishizmi.

Çka në shoqërinë shqiptare po konsiderohet si lehtësim, aq lehtësim, sap o të shikosh në shikueshmëri, Basha ka pasur aq vëmendje sa nuk e ka përjetuar asnjëherë në historinë e tij si lider politik.

Megjithatë Sali Berisha ka shpallur lëvizjen e tij të rrugës që do të përfshijë mbështetësit e vet, nga selia e PD-së deri përpara kryeministrisë ku do të protestojë si për incneratorët ashtu edhe për Vuçiçin.

Një lëvizje që e çon opozitën në rrugë, por një rrugë që nuk se ka një ide, projekt apo program se çfarë do të arrijë.

Se në fund, ky aksion i Sali Berishës dhe grupit të tij mbështetës, do të çojë në një pikë, kur protestuesit që përfaqëson Sali Berisha, do të duhet të bëjnë publike kërkesat, e duhet ndoshta edhe të negocojnë për të bërë të mundur realizimin e tyre.

Por, siç dihet, askush nuk do ta marrë Sali Berishën si një negociator, apo përfaqësues politik. E shumta, si një grupim protestues, që në këto vite nuk kanë munguar; nga avokati Goxhaj, Kujtim Gjuzi, apo edhe Besian Pesha.

Ndoshta, protesta e Berishës, mund të jetë natyrisht më e fortë dhe më me fuqi sesa Goxhaj, Pesha apo edhe homologët e tyre, por sërish mbetet pjesë e një grupimi jashtë politik e shoqëror.

Pasi Sali Berisha nuk është as parti, as sindikatë, apo Organizatë Jo Fitimprurëse. Është një grup njerëzish që janë mbledhur si pasojë e një mërzie si pasojë e sanksioneve të SHBA ndaj Sali Berishës.

E pikërisht ky aksion i Sali Berishës sot në Tiranë, çfarëdo metamorfoze të ketë, nuk do të sjellë një realitet të ri, pasi nuk mundet, nuk do të mundet të ndikojë politikisht pasi nuk përfaqëson. E shumta, mund të dëmtojë njerëzit që e mbështesin, pasi Berisha tashmë, nuk ka ç’dëmtohet më shumë. Flasim politikisht…

(Titulli i Periskopit;

Titulli origjinal: Pasojat e daljes në rrugë të Sali Berishës)