Çka mësova pasi e dëgjova dhjetë herë albumin e Dafina Zeqirit?

Çka mësova pasi e dëgjova dhjetë herë albumin e Dafina Zeqirit?

Faleminderit universit, perëndisë dhe çfarëdo fuqie tjetër që mund të ketë ndërvepruar për të përshtatur rrethanat dhe për ta bindur një artist kosovar të publikojë një album.

Fundja, është letërnjoftim. Askush asnjë artist në botë nuk e merr seriozisht nëse nuk ka të paktën një mixtape, apo një produkt ku përfshihen më shumë se pesë këngë.

Metoda këngë-klip, këngë-klip që aplikon estrada kosovare, është qartazi mungesa më e madhe e respektit që mund t’i bëjnë e shprehin një dëgjuesi rëndom.

Sidoqoftë, Dafina Zeqiri së fundmi publikoi albumin ‘Dafinë moj’ dhe ishte dinjitoz sa duhet për ta dëgjuar më shumë se një herë.

Në fakt, pasi e dëgjuam dhjetë herë, nuk menduam se do të na bënte të ngrisnim vetullat dhe ta hapnim gojën duke fryrë buzët, ngjashëm me duhanpirësit kur formojnë rrathë tymi për të impresionuar të tjerët. Në mesin e 14 këngëve të publikuara, është e vështirë të gjejmë qoft edhe një që nuk ka vlera ridëgjimi.

Është i interpretuar në mënyrë brilante. Sinqerisht, Zeqiri ka bërë atë që e mendonim se ishte e pamundur të bëhej nga dikush në estradën tonë, pas tërë atyre degjenerimeve artistike që dëgjuam këtë verë. Sa i përket këngëtares në fjalë – kurrë nuk do ta falim për ‘krimin’ që bëri me ‘Happy Birthday’, shkruan Periskopi.

Aftësia për të gjetur melodi të kapshme në pothuajse secilën këngë të albumit e bëjnë ‘Dafinë Moj’ një prej projekteve më të mira që kemi dëgjuar viteve të fundit.

Së bashku me ‘Vjeshtë, Dimër’ nga Buta, ‘Dafinë Moj’ duhet thënë se është albumi me më së shumti vlera ridëgjimi që ka dalë në treg për një kohë të gjatë.

Pothuajse secila këngë është dinjitoze për klip dhe me gjasa reale që secila të shndërrohet në hit. Kështu që, respekt maksimal për vendosmërinë që të përfshihen në një album, në vend se të ruhen e të publikohen me klipe çdo 2-3 muaj.

Për të qenë të sinqertë, marrë parasysh promovimin dhe entuziazmin e madh të fansave para lansimit, ishim të bindur se ky projekt nuk do t’i përmbushte pritshmëritë.

Por, hej… jemi më shumë se të lumtur të demantohemi dhe pikërisht kjo ndodhi, por jo se gjithçka është perfekt… aspak nuk qëndron ashtu puna, siç do ta kuptoni në vazhdim.

Fillimisht, duhet thënë se pika më e fortë e këtij albumi është vetë artistja. Zeqiri ka adaptuar një aftësi të jashtëzakonshme të interpretimit me versatilitet impresiv të vijave melodike, të cilat duket sikur janë krijuar me kujdes e delikatesë robotike që të të futen në kokë.

Gjeni poezinë më të mërzitshme në botë dhe ofrojani zonjës, ka potencial ta shndërrojë në super këngë.

Përveç kur mundohet të bëjë rep, e drejtë të themi se ajo e ka kryer në mënyrë perfekte punën e saj.

Mirëpo, pjesa teknike e projektit qartazi ka dobësi. Në secilën këngë të përfshirë, me dhjetëra persona përmenden si kreditorë për instrumental, miksim, melodi vokale, tekst e gjëra të tjera.

Pavarësisht se është i paqartë roli i secilit pjestar që përmendet në këtë album, duhet thënë se pika më e dobët mbeten ‘beatat’ apo instrumentalat.

Tingëllojnë tepër të mërzitshëm, pa kurrfarë elementesh shpërthyese të cilat mund të përfshihen me bollëk nëse jeni producent kreativ dhe profesional, marrë parasysh ngritjen dhe avancimin inxhinierik të pajisjeve e programeve që ofrojnë kuadro të panumërt të opsioneve.

Miksimi është brilant, teksa zëshëm dhe qartë dëgjohet interpretimi i Zeqirit në secilën këngë por, veç kësaj, duhet thënë se ekipi i producentëve nuk ka arritur ta nxjerr më të mirën nga vetja, pavarësisht projektit që ka tejkaluar pritshmëritë tona.

Kënga më e dobët duhet të jetë ‘ma t’mirë m’ka bo nana’, në bashkëpunim me Elinel. Nuk dëshirojmë ta dëgjojmë kurrë më Dafinën duke bërë rep por, edhe këtu, për t’u admiruar versatiliteti dhe ‘veshi’ për të ndërruar ‘fllowin’ madje duke e lënë nën hije homologun e saj në këngë, i cili ka vite drite më shumë eksperiencë në këtë zhanër.

Mirëpo, angazhimi në rep i vë hije të keqe vlerave të saj artistike, poashtu tregon pasiguri dhe papjekuri në aftësitë e veta për të bërë atë që di të bëjë më së miri.

Sa i përket pjesmarrësve në album, Lumi B performon më së dobëti, teksa Mc Kresha ishte në krye të detyrës. Pavarësisht se në projektet e fundit po dështon t’i ikë ngjashmërisë në secilën këngë me ‘Semaforin’, përsëri mbetet rep-artisti më punëtor sa i përket edukimit intelektual nëpër tekste. Njeriu e fillon repturën me ‘Sillvestre Stalloni, shining si lluster salloni…’ nëse kjo nuk iu impresionon, atëherë vështirë ta mendojmë ndonjë skenar kur ju do të impresionoheni nga diçka tjetër ndonjëherë gjatë jetës.

Tingujt eksperimental në këngën ‘Sunny Hill’ nga Zeqiri janë poashtu brilant dhe diçka që duam të dëgjojmë më shumë në vazhdim.

‘Murder on the dancefloor’, absolutisht kënga më e mirë e projektit… por oh Zot i madh, instrumentali, thjesht i tmerrshëm siç ndodhë në secilën prej këngëve, përveç ‘Sado (ik)’ deri diku.

Për ngritje kapelash gjithashtu edhe inciativa që fitimet nga shitjet fizike të albumit të shkojnë për rastet sociale që trajtohen në Shoqatën e Autizmit në Prishtinë, edhe pse ishte paksa e befasishme që albumi u publikua në të gjitha platformat në të njejtën ditë, marrë parasysh hezitimin e njerëzve për të blerë kopje fizike me vlerë prej 10 eurove në ‘Gjirafa’, kur në kohë të njejtë mund ta dëgjojnë falas në kanalin zyrtar të Zeqirit në ‘YouTube’.

Sqarim: Paragrafi i fundit nuk është plotësisht korrekt. Albumi nuk është lansuar në të gjitha platformat në të njejtën kohë. Kopja fizike ka pasur ekskluzivitet dy javë, deri më 1 tetor, kur është publikuar në platformat tjera./Periskopi.com/

Shpërndaje në: