Çka ndodhë sot në Bruksel?

Çka ndodhë sot në Bruksel?

Sot, sikur edhe nesër, ndodhë ajo që ndodhë gjithmonë në konferencat ndërkombëtare ku arrihen marrëveshjet e këtij lloji. Me pak fjalë, bota e përkrahë atë që është më i forti. Kjo ndoshta për dikë nuk ka logjikë, por kështu funksionojnë gjërat në fushën ndërkombëtare.

Kjo është për shkak se vetëm i forti është në gjendje të garantojë implementimin apo joimplementimin e marrëveshjes. Ky është parimi mbi të cilin funksionojnë takimet ku arrihen marrëveshjet e kësaj natyre.

Dikush do të thoshte se kjo nuk është e vërtetë pasi që bota i ndihmoi Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Por, kjo nuk është e vërtetë. Në Konferencën e Rambujesë bota nuk e dëmtoi Serbinë pasi që ia njohu sovranitetin ndaj Kosovës. Gjërat shkuan në favor të Kosovës pasi që Serbia, gjegjësisht Millosheviqi, nuk i pranoi vendimet e Rambujesë dhe e futi Perëndimin me zor në garë të inateve.

Bota i ka ndihmuar Kosovës shumë më tepër se që mendojmë ne. Ia ka mundësuar Kosovës rrugën e pavarësimit. Por, pavarësimi nuk arrihet pa ekonomi dhe mentalitet të pavarur. Në kohën kur ne është dashur të pavarësohemi (lexo: të ndërtojmë ekonomi dhe ushtri), ne ia kemi vjedhur Kosovës të mirat publike, të cilat nuk e kemi ditë e as sot nuk e dimë se çka dhe cilat janë. E kemi vrarë njëri tjetrin dhe tërë kohën e kemi kaluar duke u akuzuar për spiuna të Serbisë dhe për anti-amerikanizëm.

Ne e kemi shpikur termin “miqësia e përhershme” (term qesharak) dhe kemi menduar se vetëm duhet të jemi proamerikanë në aspektin formal e verbal. Kemi menduar se bota duhet të na shpërblejë neve për këtë dëgjueshmëri dhe ta dënojë Serbinë për jodëgjueshmëri. Mentaliteti jonë nuk ka dalë përtej këtij batllëku.

Ndërkohë Serbia e ka ringjallur ekonominë dhe e ka forcuar ushtrinë. Serbia, duke qenë vazhdimisht kundër Perëndimit, i ka joshur investimet e tyre për shkak se u ka ofruar garancione dhe siguri. Me prodhimet e saja e ushqen Ballkanin kurse me ushtri e kërcënon në të njejtën kohë. Asnjëherë Serbia nuk ka lëshuar pe ndaj Kosovës. Serbia nuk ka ofruar alternativë në këtë çështje sikur shqiptarët të cilët i kanë paraqitur 100 alternativa e asnjë qëndrim.

Ky mentalitet natyrisht që prodhon dështim që kthehet kundër vehtvetes dhe e përgatitë rrugën për të pranuar çkado që na jep bota. Ne e kemi shndërruar veten në pamjen e lypësit të leckosur me shkop në dorë dhe thes në shpinë. Lypësit nuk i jepet më shumë se një copë bukë e një tas ujë.

Shpërndaje në: