Çka në të vërtetë bën Lista Serbe në Kosovë?

Çka në të vërtetë bën Lista Serbe në Kosovë?

Zyrtarë të Listës Serbe shpeshherë thonë në publik se kjo parti politike është përfaqësuesja e vetme ligjore dhe legjitime e serbëve në institucionet e Kosovës, por zëri i tyre pothuajse asnjëherë nuk dëgjohet në Kuvendin apo Qeverinë e Kosovës, sepse rrallëherë marrin pjesë në seanca ose mbledhje.

Lista Serbe, e afërt me Partinë Progresive Serbe të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, është partia e vetme që përfaqëson serbët në institucionet e Kosovës, gjegjësisht, i vetmi opsion opsion politik serb që merr pjesë në punën e institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës.

Pikërisht për këtë arsye, më 3 gusht, shoqëria civile nga radhët e komunitetit serb e ftoi Listën Serbe që të marrë përgjegjësinë mbi vete dhe të marrë pjesë në mënyrë aktive në punë, në mënyrë që përmes kanaleve institucionale t’i japë fund destabilitetit dhe të kontribuojë për paqen.

Tensionet e fundit në Kosovë u ngritën më 31 korrik, para fillimit të procesit të riregjistrimit të targave serbe me emërtimet e qyteteve të Kosovës në targa RKS (Republika e Kosovës), si dhe vendosjes së masave reciproke lidhur me letërnjoftimet që lëshohen nga organet serbe.

Si shenjë proteste, serbët lokalë në katër komuna në veri të Kosovës bllokuan rrugët me kamionë dhe automjete të tjera, ndërkaq Lista Serbe i falënderoi për këtë dhe i inkurajoi.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, si përgjigje ndaj kërkesës së partnerëve ndërkombëtarë, vendosi të shtyjë për 30 ditë zbatimin e këtyre vendimeve, për shkak të dezinformatave që vinin nga Beogradi për situatën në terren.

Igor Markoviq nga organizata joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut, vlerëson se Lista Serbe është një “bojler që rrjedh” në raport me informacionet që vijnë nga Beogradi dhe se nuk bën pothuajse asgjë për të mbrojtur interesat e serbëve përmes institucioneve në Kosovë.

“Lista Serbe nuk i shfrytëzon institucionet në të cilat funksionon dhe të cilat i ka zgjedhur si kanal për artikulimin e interesave të komunitetit serb. Disi duket sikur Lista Serbe është në Serbi e jo në Kosovë”, thotë Markoviq.

Organizata joqeveritare Aktiv është një nga nënshkrueset e njoftimit, me të cilin i bëhet thirrje Listës Serbe që përveç komunikimit me Beogradin, të vendosë një kanal institucional të komunikimit me kryeministrin e Kosovës.

Igor Markoviq, po ashtu, thotë se përfaqësuesit e Listës Serbe në asnjë mënyrë nuk e kanë njoftuar popullatën lokale për vendimet e Qeverisë së Kosovës dhe as nuk ua kanë shpjeguar se për çfarë bëhet fjalë. Ai thekson se qytetarët pothuajse nuk kanë pasur asnjë informacion.

“Informatat e vetme që vinin nga përfaqësuesit e tyre legalë në institucionet e Kosovës, ishin të dobëta dhe me përmbajtje me karakter konflikti. Në vend se të ishin në Kuvend (të Kosovës), kur bisedohej për atë udhëzim administrativ, ata nuk morën pjesë aty. Është një hap që është dashur të përdoret, jo vetëm për qetësimin paraprak të tensioneve, por edhe për rregullimin më të mirë të asaj fushe”, konsideron ai.

Sipas tij, secila krizë në Kosovë ka ndikim të drejtpërdrejtë në shpërnguljen e pjesëtarëve të komunitetit serb, të cilët, siç thotë ai, janë nën presionin e pasigurisë së vazhdueshme./rel

Shpërndaje në: