Çka thonë sot deputetët që votuan pro Gjykatës Speciale?

Çka thonë sot deputetët që votuan pro Gjykatës Speciale?

Më 23 qershor të vitit 2015 opozita në Kuvendin e Republikës së Kosovës kundërshtoi fuqishëm ndryshimet kushtetuese, që i hapnin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Ndryshe më 3 gusht të vitit 2015 deputetët e Kuvendit të Kosovës i thanë “Po” Gjykatës Speciale në tentimin e dytë për ta kaluar atë, shkruan Periskopi.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët votuan ndryshimet kushtetuese të cilat i hapnin rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare. Në momentin e votimit në seancë ishin të pranishëm 117 deputetë.

E katër vite më pas, kjo Gjykatë ka filluar t’i ftojë disa nga fytyrat publike që kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata Speciale në fillim të dhjetorit të vitit 2018 dërgoi ftesat e para për disa ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ftesa e parë ishte për ish-komandantin e zonës së Llapit, Rrustem Mustafa-Remin, i cili paslufte ishte deputet nga radhët e PDK-së në parlamentin e Kosovës.

Pas Remit, pasuan ftesat edhe për Sami Lushtakun (Zona Operative e Drenicës), Sokol Dobruna (Gjykata ushtarake e UÇK-së), Nazif Mehmeti (një nga komandantët në Zonën Operative të Llapit), Remzi Shala, (komandant i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut, i njohur me pseudonimin “Molla e kuqe”), e disa të tjerë.

E së fundmi, ftesa kanë pranuar edhe tashmë ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Pastaj Jakup Krasniqi, këshilltari i Presidentit Thaçi ,Bislim Zyrapi, Shukri Buja, Sokol
Bashota e të tjerë.

Kjo Gjykatë ishte mohuar edhe nga veteranët e UÇK-së, të cilët kishin marrë pjesë edhe gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës duke kundëërshtuar votimin pro saj.

Në anën tjetër, disa nga deputetët që kishin votuar atë kohë pro themelimit të Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte, thonë se kjo gjykatë do të themelohej edhe nëse nuk do të sillej për votim në Kuvend.

Melihate Tërmkolli atë kohë ishte deputete nga radhët e LDK-së,e cila kishte votuar për themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare.  Tërmkolli në një deklaratë për Periskopin thotë se kjo gjykatë nuk ka qenë zgjidhja më e mirë për vendin, mirëpo ka qenë e nevojshme.

Kemi thënë që nuk është zgjidhja më e mira por ka qënë e domosdoshme. Siç thotë populli, “E keqe e domosdoshme”. Kuvendi i Kosovës ka miratu një diçka që e ka sjellë Qeveria, ajo ka insistu shumë. Presidenti që është tash, atëherë ka qënë kryeministër edhe e kanë votu pothuajse të gjithë përveç VV-së. Këtë Gjykatë të gjithë e kanë votu, mos të shesin përralla kërkush, nuk ëshë kjo çështje e bona, s’e bona, ma boni, s’e bona. Ka qenë një obligim shtetëror, i logjikës shtetërore’’, thotë Tërmkolli.

Tutje, ajo shton se themelimi i kësaj gjykatë ka ardhë si rrjedhojë e dështimit të gjykatave vendore si dhe EULEX-it. Ndër tjerash thekson se Specialja nuk është kundër UÇK-së, mirëpo në gjykatë secili është duke shkuar individualisht për të dhënë llogari për vetveten.

‘’Në Kosovë nuk funksionuan as gjykata e Kosovës dhe dështoi edhe EULEX-i. Gjykata Speciale pra erdhi si pasojë e këtyre dështimeve. Plus ka qënë shumë e ditur se Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka pasë të marrë një vendim, edhe miqtë tanë i kanë lutë liderët e Kosovës kanë thënë se është më mirë ta bëni ju sesa ta bëjë një institucion dhe një mekanizëm në të cilën ka me vendosë Rusia dhe Kina. Se kush është subjekt i kësaj gjykate kërkush nuk merr obligim për askënd, secili jep llogari për veten. Gjykata speciale nuk është kundër UÇK-së, këto janë pallavra këto janë shkurt pallavra të atyre që po mundohen me i mbulu punët e veta të këqija me UÇK-në. Nuk është se janë kundër UÇK-së, është për individë të caktuar me dyshime që kanë bërë vepra të caktuara’’, përfundon Tërmkolli për Periskopin.

Ndërsa, deputetja Flora Brovina e cila ende qëndron në këtë pozitë, megjithëse shumica nga partia e saj kishin votuar pro kësaj gjykate, Brovina kishte votuar kundër dhe këtë votë e mbron ende.

Së pari nuk kam qenë për një gjykatë e cila bazohet tek ata që kanë bërë krime kundër nesh që është Serbia. Së dyti besoj shumë në pastërtinë e luftës së UÇK-së pasi që edhe vet kam qenë pjesë e saj. Së treti unë kundërshtojsha për Gjykatën duke qenë se jam humaniste dhe Kosova e ka pranu me Kushtetutë që është multietnike dhe të parët që do të duhej të gjykoheshin janë ata që kanë bërë krime. Tek e fundit në Kosovë është intervenu për me shpëtu një popull nga gjenocidi dhe krimi. Në këshillin e Sigurimit kam deklaru që nuk do ta votoj këtë Gjykatë. Logjika ka qenë që mbasi që jemi akuzu duhet të turpërohemi por për mua kjo nuk ka vlejtë”, përfundon Brovina për Periskopin.

Ndryshe nga kolegët e tij, Shpejtim Bulliqi nuk jep më përgjegjësi për votën e dhënë atë kohë. Madje, Bulliqi deklaron se ka kalu kohë prej se është votuar për këtë gjykatë dhe e vlerëson si diçka të kaluar, duke mos e pas parasysh se tani po i  ‘vuajnë’ pasojat disa prej të ftuarve nga Specialja.

S’kom najfar komenti, moti ka qenë ajo punë. Moti ka qenë ajo farë kohe. Ato subjekte që e kanë formu vet kanë qenë në krye të shtetit”, përfundon shkurt Bulliqi për Periskopin.

Kujtojmë se është raportuar që Specialja do të ftojë edhe shumë zyrtarë tjerë të shtetit madje nuk do të kursehen as ish-komandantët./Periskopi-Zana Rugova/

Shpërndaje në: