Çollaku: Kërkesa për shtyrjen e zgjedhjeve është frikë e Kurtit nga humbja

Çollaku: Kërkesa për shtyrjen e zgjedhjeve është frikë e Kurtit nga humbja

 Deklaratat e kryeministrit Kurti për kërkesën e tij që të shtyhen zgjedhjet, i ka komentuar edhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Bekim Çollaku.

Ai ka thënë se kjo është frikë nga humbja në zgjedhje e Kurtit, duke e cilësuar si ironi të dhimbshme dhe paradoksale.

Çollaku ka thënë se vetëm pak muaj më parë, partia aktuale në pushtet organizonte protesta publike gjatë pandemisë me kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ndërsa tani e njëjta parti kërkon shtyrjen e zgjedhjeve të rregullta lokale për shkak të pandemisë.

“Frika nga humbja në zgjedhje

Çfarë ironie e dhimbshme dhe paradoksale! Vetëm pak muaj më parë, partia aktuale në pushtet organizonte protesta publike gjatë pandemisë me kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Tani e njëjta parti kërkon shtyrjen e zgjedhjeve të rregullta lokale për shkak të pandemisë.

Kohë pandemie ishte atëherë kur u mbajtën zgjedhjet e fundit parlamentare, që me protesta u parapriu LVV. Kohë pandemie është edhe sot kur LVV duke tentuar të përdor presidenten dhe shantazhuar e manipuluar IKSHPK-në dhe KQZ-në, po tenton t’i shtyjë me çdo kusht zgjedhjet e rregullta lokale.

Të gjithë ne e dimë arsyen e vërtetë të kësaj kërkese për shtyrjen e zgjedhjeve. Thjesht frika nga humbja e thellë. Asgjë tjetër. Epo këta mund ta kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve dhe zgjatjen e agonisë politike, por presidentja dhe KQZ-ja nuk guxojnë të dorëzohen dhe ta shkatërrojnë demokracinë në Kosovë. Edhe nëse dorëzohen ata, qytetarët duhet t’i ndëshkojnë të gjithë ata që duan ta suspendojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës.

Mbajtja e zgjedhjeve të rregullta lokale në përputhje me ligjin dhe kushtetutën, nuk e amneston këtë qeveri për shkak të numrit të lartë të vdekjeve në mungesë të menaxhimit të pandemisë”, ka shkruar Çollaku.

Shpërndaje në: