Conte flet pas ndeshjes së parë me Tottenham

Conte flet pas ndeshjes së parë me Tottenham

Trajneri italian Antonio Conte ka kërkuar për durim pas fillimit të aventurës te Tottenham me fitore të mundimshme kundër Vitesses në Ligën e Konferencës.

Tottenham shënoi fitore me rezultat të ngushtë 3:2 kundër Vitesses, ku gola për skuadrën londineze i shënuan Son Heung-Min dhe Lucas Moura, kurse Rasmussen kontribuoi me autogol, përcjell KosovaPress.

Pas kësaj fitoreje të mundimshme, dhe me rikthimin e “Gjelave” në aksion këtë vikend në Premier Ligën angleze kundër Everton, trajneri Conte kërkoi që të ketë durim pasi që do t’i duhet kohë për të sjellë suksese në skuadrën londineze.

“Ishte një ndeshje e çmendur. Zakonisht mua nuk më pëlqen ky lloj i lojës, një lojë e çmendur nënkupton se çdo gjë mund të ndodhë. Por në të njëjtën kohë, unë mendoj që ne duhet të fitonim dhe në fund fituam”, tha Conte.

“Ne duhet të kemi pak durim sepse na duhet të përmirësohemi në shumë aspekte, në mënyrë taktike dhe në atë fizike. Nuk i frikësohem punës. E di që vetëm duke punuar mund të arrish synimet që ke”, shtoi trajneri italian.

Ndeshja e mbrëmshme mes Tottenham dhe Vitesse ishte vetëm ndeshja e dytë në histori të garave evropiane në të cilën janë shënuar pesë gola dhe janë regjistruar tre kartonë të kuq, ku ndeshja e parë ishte ajo mes Bragas dhe Fenerbahçes në të cilën fitoi skuadra portugeze me rezultat 4:1, e vlefshme kjo për Ligën e Evropës në vitin 2016.

Shpërndaje në: