Dallaveret e Bulliqit – Anulon tenderin për drunjtë dekorativë, pastaj e paguan 35 mijë e 911 euro më shumë

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në emisionin “Pressing” të T7 më 10 qershor të vitit 2021 në përpjekje e sipër për të shpjeguar zotimin e tij për luftë kundër korrupsionit, kishte treguar se si e kishte anuluar plotësisht një kontratë për drunj dekorativë, meqë si Komunë kishin kërkuar specifika tjera dhe kompania s’kishte respektuar kushtet e kontratës. Tenderi ishte rishpallur dhe del se në kontratën e dytë ka përfituar kompania e njejtë edhe më shumë. Çmimet e disa llojeve të fidanëve janë rritur ndjeshëm, ndërsa, Komuna ka pranuar për herë të dytë fidanët me perimetrin e njëjtë që ia kishte ofruar kompania herën e parë (4-6 centimetra). Pra, Komuna e Podujevës për fidane më të holla ka pranuar të paguajë më shtrenjtë.

Bulliqi ka thënë se kishin kërkuar që perimetri i drunjve të ishte 8 deri në 10 centimetra, derisa kompania kishte insistuar që ta furnizonte Komunën me drunjë që kanë perimetër 4-6 centimetra.

Tenderi për të cilin flet Bulliqi e i cili është anuluar, kishte një vlerë totale prej 63 mijë e 789 euro, dhe në detaje ka të dhënat specifike që si Komunë kanë kërkuar nga kompania.

Ndërkohë siç tregon edhe vetë Bulliqi, i njëjti tender është rishpallë meqë kompania s’kishte përmbushur kriteret e marrëveshjes.

“Qe po ta tregoj tjetrën tash. Ne kemi shpall një tender, diku në muajin mars për 2200 drunj dekorativë. Dhe kemi lyp perimetrin e drunjve me kanë 8 deri 10 centimetra. Kompania ka insistuar që me i pru drunjtë 4-6 centimetra, dhe nuk është realizuar një projekt i tillë. Dhe sot jemi detyruar që me e anulu komplet, kompaninë me ja ndalë sigurinë e tenderit që e ka bo, shumën, dhe kemi me rishpallë tenderin e ri, për arsye se kompania nuk i ka respektu kushtet e kontratës që është nënshkru. Po du me të tregu që nuk mundet me ndodhë që kjo me u pranu, kjo tjetra me u sanksionu, me u fut kompania në listën e zezë. Pradaj po të kish pas korrupsion kjo s’kishte me ndodhë. Në Podujevë më nuk ka korrupsion, unë po ju garantoj, më nuk vidhen dhjetë centë”,kishte thënë Bulliqi në Pressing.

Por çfarë ka ndodhur kur është ripërsëritur tenderi për herë të dytë?

Në dokumentet e publikuara në faqen zyrtare të Komunës së Podujevës, në tenderin e përsëritur, shihet se kërkesa e Komunës për drunjtë ishte ndryshuar. Pra, Komuna ndryshe nga hera e parë, është pajtur që drunjtë të jenë me perimetër 4-6 centimetër, siç kishte insistuar kompania e njejtë ta furnizonte Komunën herën e parë, e që ishte edhe arsyeja pse kryetari Bulliqi ia kishet anuluar komplet marrëveshjen dhe e kishte rishpallur tenderin.

Derisa perimetri është zvogëluar, çmimet e fidaneve janë rritur drastikisht. Kjo ka bërë që pas rishpalljes, vlera e kontratës të shkojë në 99 mijë e 700 euro nga 63 mijë e 789 euro sa ishte herën e parë.

Pra herën e dytë, Komuna e Podujevës ia ka dhënë kompanisë së njëjtë tenderin, por me ndryshime të çmimeve dhe me 35 mijë e 911 euro më shumë si vlerë totale dhe për fidane më të holla ka paguar çmim më të shtrenjtë sesa që ka qenë herën e parë në kontratën e anuluar.

Zyrtari i Komunës së Podujevës, Vigan Salihu, në një prononcim për Express i pyetur rreth kësaj çështje, ka deklaruar se kompania fituese ka qenë ofertuesi më i lirë dhe brenda vlerës së parashikuar të tenderit që është 100 mijë euro.

Megjithatë mbetet e pakuptimtë se si Komuna e Podujevës herën e dytë ka pranuar të paguajë më shtrenjtë për fidane më të holla, derisa herën e parë për fidane më të trasha çmimi kishte qenë më i lirë.

“Heren e dytë ne kemi kerku 4-6 (centimetër), ai po i bjen 4, 5, 6, edhe jemi ne rregull. Na intereson firma qe oferton me çmimin me te lire e qe i ploteson kushtet, qajo me e marre. Tash dy kompanite e kane plotesuar kushtin, por njera kompani eshte 70-80 % ma e shtrenjt, ka hi 150 mije, njona 90 mije, normal qe na ja dhojme 90 mije e s’ja dhojme 150 mije”, ka thënë Salihu për Express.

Vetë zyrtari i kësaj Komune, Vigan Salihu, në bisedë për Express ka treguar se fidanet sa më të holla kushtojnë më lirë, gjë që nuk shfaqet në kontratën e nënshkruar herën e dytë. Pra aty, Komuna ka pranuar që për fidane më të holla të paguaj më shtrenjtë.

“Eshte ndryshu diametri i drunit, jane lehtesu kerkesat. Tash kur te kerkohet 4-6, rrjedhimisht qaj dru munet me kushtu pak ma lire se ai 8-10. Druni sa ma i vogel kushton ma lire”, ka thënë Salihu.

Pra në kontratën e lidhur herën e parë, një fidan i llojit “Acerplatanoides” kishte kushtuar 18 euro e 50 centë, ndërkohë lloji i njëjtë i fidanit por me diametër 4-6 centimetra në kontratën e dytë ka kushtuar 20 euro.

Lloji Acerplatanoides në kontratën e parë
Lloji Acerplatanoides në kontratën e dytë

Njëjtë ka ndodhur edhe me çmimin e llojit tjetër të fidanit të quajtur Tillia europaeapallida. Me diametrin e ndryshua në 4-6 centimetër, çmimi nga 17.50 sa ishte në kontratën e parë ka shkuar në 20 euro.

Lloji i fidanes Tillia europaeapallida në kontratën e parë
Lloji i fidanes Tillia europaeapallida në kontratën e dytë

Ndryshim të madh të çmimit nga kontrata e parë në kontratën e dytë ka pësuar edhe lloji i fidanes Acer Plamatum. Nga 25 euro sa ishte herën e parë, ka shkuar në 40 euro.

Lloji i fidanes Acer Plamatum në kontratën e parë
Lloji i fidanes Acer Plamatum në kontratën e dytë

Edhe lloji i fidanit Abies në kontratën e dytë është blerë për 50 euro, ndërkohë në kontratën e parë ka kushtuar vetëm 15 euro copa.

Lloji i fidanes Abies në kontratën e parë
Lloji i fidanes Abies në kontratën e dytë

Njëjtë ka ndodhur edhe me çmimin e fidanes Piceapungens. Nga 16 euro e 50 centë sa kishte kushtuar herën e parë, Komuna pas rishpalljes së tenderit të njëjtën e ka blerë 50 euro.

Nga 12 euro sa kishte kushtuar në kontratën e parë, fidanja e llojit Catalpa bignonoides “Nana” nga Komuna në kontratën e dytë është blerë 30 euro copa. Ndërkohë tek kjo fidane, kërkesa e komunës në kontratën e dytë ka qenë që perimetri të jetë 4-6 centimetra, ndryshe nga kontrata e parë ku ishte 10-15 centimetra.

Përveç çmimit të fidanëve kanë ndryshuar drastikisht edhe çmimet për kryerjen e punëve. Pra në kontratën e parë komuna ishte pajtuar që për një hapje të gropës për mbjelljen e një fidani të paguante vetëm 0.20 centë, derisa pas ripërtëritjes, Komuna për hapjen e një grope ka paguar 4 euro.

Çmimi për hapjen e një grope në kontratën e parë
Çmimi për hapjen e një grope në kontratën e dytë

Gjithashtu vlen të theksohet se kontratën e parë ishte kërkuar që drunjtë të kenë certifikatën fitosanitare dhe dëshminë e prejardhjes nga një vend i BE-së, në kontratën e dytë këto kërkesa ishin hequr.

Më poshtë i gjeni kontratat e plota të nënshkruara nga Komuna e Podujevës me kompaninë N.T “BITI-COM”

Kontrata e parë e anuluar

Kontrata e dytë

 

 

Shpërndaje në: