Dallku kritikon rëndë gjyqtarët dhe VAR: Jemi larg ekipi më i dëmtuar, kërkojmë korrektësi

Dallku kritikon rëndë gjyqtarët dhe VAR: Jemi larg ekipi më i dëmtuar, kërkojmë korrektësi

FC Drita ka mposhtur KF Dukagjinin me rezultat 4:0, në ndeshjen që u zhvillua në kuadër të BKT Superligës të Kosovës. Golat e fitores për skuadrën e trajnerit Ardian Nuhiu, i shënuan Arbnor Muja, i cili shënoi dy herë, Ilir Blakçori dhe Ardit Tahiri nga një gol.

Pas ndeshjes për mikrofonin e “Art Sport 1” trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku është ankuar në përdorimin e sistemit VAR gjatë ndeshjes së sotme.

Sipas tij, është dashur që skuadra vendëse të mbetet me një futbollist më pak në fushë dhe jo skuadra e tij.

‘Në vend se ne të luajmë me një lojtar më shumë, vjen momenti që ne të luajmë me një lojtar më pak. Ishte kartoni i dytë për kundërshtarin, kurse gjyqtarët as nuk marrin guxim ta shikojnë VAR-in. Në momentin e parë neve na ndëshkojnë. Kjo organizatë që i dërgon gjyqtarët këtu duhen të jenë më kredibil. Kemi gjashtë kartonë të kuq, kemi gjashtë penallti kundër dhe asnjë penallti për Dukagjinin. Jemi larg ekipi më i dëmtuar në të gjitha sferat sa i përket lojës së futbollit. Nuk po kërkojmë asgjë me na fal, vetëm korrektësi.

Ndërsa, ai shtoi se edhe futbollistët e tij po e kanë të vështirë të motivohen pas vendimeve të VAR kundër tyre.

‘Sa i përket ndeshjes kur ishte rezultati 2-0 neve na interesoi me i ndërrua futbollistët, i futëm 5 futbollistë tjetër sepse nuk kishim çka me marrë nga kjo ndeshje duke e parë edhe fushën e renduar. Por, problemi është tek dëshpërimi sepse pas pjesës së parë të gjithë thonë se nuk po kemi për çfarë me luajt, është e vështirë kundër këtyre njerëzve. Sistemi VAR po funksionon sipas qejfit’, përfundoi deklaratën e tij Dallku.

Drita tani me këtë fitore renditet në pozitën e dytë me 28 pikë pas 15 xhirove të zhvilluara, dy më pak se sa lideri Ballkani që ka 30 pikë.

Ndërsa, skuadra e trajnerit Armend Dallkut mbetet në pozitën e parafundit me 16 pikë.

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Selami Osmani, BEZI”, në Gjilan. Gjyqtar kryesor i ndeshjes ishte Mentor Ajeti.

Shpërndaje në: