Daniel Serwer për Periskopin: ShBA dhe BE të kujdesen që Beogradi mos ta vazhdojë rrëmujën edhe pas 1 shtatorit

Daniel Serwer për Periskopin: ShBA dhe BE të kujdesen që Beogradi mos ta vazhdojë rrëmujën edhe pas 1 shtatorit

Beogradi është problemi. Beogradit duhet t’i tregohet se është në anën e gabuar. Kështu thotë në një intervistë të shkurtër për Periskopin, profesori i Universitetit John Hopkins në Uashington, zoti Daniel Serwer, duke komentuar zhvillimet e fundit në vendin tonë.

Më poshtë, përgjigjet e zotit Serwer në këto pak pyetje:

Periskopi: Si e komentoni situatën e fundit në Kosovë, pas zhvillimeve në veriun e vendit?

Daniel Serwer: Mendoj se Kosova është në të drejtën e saj për të insistuar për reciprocitetin në targa dhe dokumente. Refuzimi i Beogradit është burimi i problemit.

Periskopi: A ishte vendim i duhur i z.Kurti, që të dëgjonte këshillat e miqve tonë perëndimorë (Ambasadës amerikane) për ta shtyer vendimin e reciprocitetit për 30 ditë?

Daniel Serwer: Kjo më duket maturi, marrë parasysh rrethanat. Por, tani Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të sigurojnë se rrethanat do të ndryshojnë nga 1 shtatori.

Periskopi: Si e shihni rrjedhën e këtij procesi pas 30 ditësh?

Daniel Serwer: Beogradi do të vazhdojë të krijojë rrëmujë për aq gjatë sa lejohet nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Periskopi: Prej shumë ekspertëve të sigurisë në vendin tonë, por edhe prej krerëve të institucioneve, situata e orëve të fundit në Kosovë, u pa edhe si indikacion i një lufte hibride e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, përmes Serbisë? Mendimi juaj? Sa e rrezikshme është kjo situatë?

Daniel Serwer: Unë nuk do ta quaja këtë si luftë hibride, por kjo nuk është paqe ose marrëdhënie e mirë fqinjësore.

Periskopi: A mendoni se Brukseli do t’ia dalë ta tejkalojë edhe këtë situatë, duke qenë se tashmë veç ka nisur ftesa për takim mes dy palëve (Prishtinës dhe Beogradit)?

Daniel Serwer: Ftesa nuk do ta bënte një gjë të tillë. Beogradit duhet t’i thuhet se është në anën e gabuar dhe se duhet të ndryshojë politikën e saj ndaj targave dhe dokumente ose të pranojë reciprocitetin. /Sokol Berisha & Dafina Demaku/Periskopi

 

Shpërndaje në: