Dardan Krivaqa sot s’foli para Prokurorisë: Ja arsyetimi i tij

Periskopi.com Lajme

Dardan Krivaqa, i dyshuar për vrasjen e ish-partneres së tij 18-vjeçare, Marigona Osmani, ka shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje, gjatë marrjes në pyetje nga prokurori i rastit. Krivaqa ka pasur të deklarohej sot në orën 09:00 para prokurorit, por i njëjti ka thënë se nuk dëshiron të flas pa e parë raportin e autopsisë së ish-partnerës së tij, këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Express, avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi.

Dardan Krivaqa, si në polici, si në gjykatë kur i është caktuar masa e paraburgimit ashtu edhe sot para prokurorit të çështjes është mbrojtur në heshtje, në prani të avokatit të tij.

Arsyetimi i tij për t’u mos u deklaruar, sipas avokatit të familjes së Marigona Osmanit, ka qenë se nuk dëshiron të flasë derisa ta sheh raportin e autopsisë.

“Sot ka pasur deklarimin Dardan Krivaqa në orën 09:00, por është mbrojtë në heshtje. Me arsyetimin se dëshiron me pa raportin e autopsisë”, tha avokati Gazmend Rexhepi për Gazetën Express.

Tutje avokati tha se përgjigja e prokurorit ishte se Krivaqa do të mund t’i shohë provat në fazat e mëvonshme.

Janë bërë disa ditë prej kur Instituti i Mjekësisë Ligjore e ka dorëzuar në prokurorinë kompetente raportin e autopsisë së Marigona Osmanit, e cila dyshohet se u vra pas dy ditësh keqtrajtimi mizor nga ish-partneri i saj Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Express mëson se raportin e autopsisë nuk e ka parë akoma familja e Marigonës e as avokati i rastit, pasi kjo ka qenë kërkesë e prokurorisë që të mos dëmtohen hetimet, kërkesë kjo e pranuar nga familja dhe avokati.

Gjykata Themelore e Ferizajt, në shtator u ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, konkretisht deri më datën 21 nëntor.

Krivaqa e Sejdiu akuzohen se më 22 gusht të këtij viti kanë privuar nga jeta 18-vjeçaren Marigona Osmani, ku më pas e kishin dërguar pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt dhe ishin larguar.