‘Dardanët’: Ju që dëshironi të bëni parashutistin, më mirë qëndroni në shtëpitë e juaja

Periskopi.com Sporti

Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë sot ndeshjen kundër Spanjës, takim ky që i takon Grupit B të fazës kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”.

Këtë ndeshje Kosova do ta zhvillojë si vendase në stadiumin “Fadil Vokrri”, në të cilin do të lejohet vetëm 10% e kapacitetit të tribunave.

Në këtë 10% janë të përfshirë tifo-grupi “Dardanët”, të cilët para ndeshjes, kanë shfrytëzuar rastin të bëjnë thirrje për përkrahje maksimale të djelmoshave tanë në fushë.

“Respekti i vetëm ndaj këtij kundërshtari që mund ta bëjmë është që ne të këndojmë, e mos të ndalemi duke e përkrahur kombëtaren tonë, ndërkaq lojtarët të mos kaliten apo dorëzohen për asnjë çast në fushë, ndaj një kombëtareje pjesë e një federate të një shteti aspak miqësorë. Keqardhja e vetme është që nuk do të jemi me kapacitet më të shtuar në stadium, për t’i ndihmuar djelmoshave tanë aq sa e meritojnë dhe kanë nevojë”, shkruan në postimin e “Dardanëve”.

Po ashtu, tifo-grupi kishte edhe një mesazh për tifozët kosovarë të cilët ndajnë simpati për disa nga lojtarët e kombëtares spanjolle.

“Sot, vetëm ata që janë të prirë t’i duan dhe mbështesin pa rezerva ekipin tonë janë të mirëseardhur për t’na u bashkangjitur në stadium. Kushdo që dëshiron ta bëjë parashutistin për t’u lajthitur lojtarëve të një kombëtareje të një shteti që nuk na njeh, e që për më tepër na i ka bllokuar edhe sportistët duke ua shuar ëndrrat e tyre për pjesëmarrje në gara të ndryshme sportive – ju bëjmë thirrje të qëndroni kokë-ulur në shtëpitë e juaja. Nuk jeni të dëshiruar as jashtë, as brenda stadiumit. Mos na provokoni me pisllëqe fëmijërore dhe naive. Kombëtarja e vetme që sytë tanë shohin në fushë dhe që e mbështesin atë, është ajo kosovare”, është kjo porosia e “Dardanëve” në “Facebook”.

Shpërndaje në: