Darka joformale që e shtron Borrelli: Përveç Gërvallës dhe Vuçiqit, kush tjetër është i ftuar të hajë sonte në Bruksel

Darka joformale që e shtron Borrelli: Përveç Gërvallës dhe Vuçiqit, kush tjetër është i ftuar të hajë sonte në Bruksel

Po vazhdojnë të hahen darka joformale nëpër kryeqendrat evropiane, por a ka rezultate pas tyre? Kështu, pas darkës joformale në pallatin Borsig të Gjermanisë (Kurti – Lajçak – Vuçiq), sonte në Bruksel Borrelli shtron një darkë për liderët e Ballkanit Perëndimor.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të organizojë një darkë joformale me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën, më 11 maj (pra, sonte).

Tradita e mbajtjes së një darke të tillë joformale ishte nisur nga paraardhësja e Borrellit, Federica Mogherini, e cila takonte liderët e Ballkanit çdo vit në darkë joformale, për të diskutuar për të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat përballej ky rajon.

Këtë vit, sipas njoftimit, çështja e sigurisë në Evropë do të jetë në krye të agjendës në dritë të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

Pjesëmarrja në darkën në Bruksel e kanë konfirmuar: ministrja e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Kosova përfaqësohet në këtë darkë joformale me kryediplomaten Gërvalla, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, gjenden në vizitë në Shtetet e Bashkuara.

Para darkës joformale, të gjithë pjesëmarrësit do të zhvillojnë bisedime të shkurtra dypalëshe me shefin e diplomacisë së bllokut evropian, Josep Borrell.

Para pak ditësh, më 4 maj,  edhe kryeministri i Kosovës kishte darkuar bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak në pallatin Borsig në Gjermani.

“Gjatë takimit, Kryeministri Kurti ritheksoi qëndrimin për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, duke pasur në qendër njohjen reciproke”, thuhej në njoftimin e zyrës për media të Kurtit./Periskopi

 

Shpërndaje në: