Daut Haradinaj: Emrat e deputetëve të Kushtetutës së Kaçanikut do të skaliten në hyrjen e Kuvendit

Daut Haradinaj: Emrat e deputetëve të Kushtetutës së Kaçanikut do të skaliten në hyrjen e Kuvendit

Kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ka thënë se Prishtina do t’i nderojë delegatët e Kushtetutës së Kaçanikut.

Haradinaj ka thënë se para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës do të gravohen emrat e të gjithë delegatëve të Kushtetutës së Kaçanikut.

“Sot ishim në nderim të Kushtetutës së Kaçanikut, në 31 vjetorin, ku prezent ishin një pjesë e tyre të cilët akoma vazhdojnë të jetojnë, edhe pse në moshë të thyer. I nderuam edhe ata që sot nuk janë në mesin tonë dhe në të njejtën kohë në bashkëbisedim e sipër ju premtuam që në hyrjen e Kuvendit, pra ku është porta kryesore në hyrje të Kuvendit do të gravohen emrat e të gjithë delegatëve të Kushtetutës së Kaçanikut, me ç’rast njihet si nisma e parë e shpalljes së Republikës së Kosovës në aspektin juridik, pavarësisht rrethanave, shumica prej tyre të persekutuar por sot e pritën mirë këtë lajm edhe une jam i bindur që kemi me i bo nderë edhe Prishtinës edhe Republikës së Kosovës me këtë emra të cilët ne do t’i nderojmë”, ka thënë Haradinaj në videon të cilën ka shpërndarë në rrjetin social Facebook.

Kujtojmë se me 2 Korrik të vitit 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë, e formalizuan këtë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ishte shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin e Maqedonisë dhe mundësia e shpalljes ishte më e lehtë. Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 shtatori është cilësuar si identiteti i historisë së re të Kosovës.

Shpërndaje në: