Daut Haradinaj: Kurti e ka përkrahjen time për vendosjen e reciprocitetit

Daut Haradinaj: Kurti e ka përkrahjen time për vendosjen e reciprocitetit

 Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, duke komentuar situatën e krijuar ditëve të fundit në veri të vendit pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat serbe, ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe të gjithë ministrat e kanë përkrahjen e tij në lidhje me këtë çështje.

“Ne jemi edhe aleatë me NATO-në, vizioni jonë është që të shkojmë në atë drejtim por gjuha agresive e politikave të Beogradit duhet ta kuptojë se nuk e tremb as një qytetarë në Kosovë. Kjo i bie që kryeministri Kurti, ministrat dhe të gjithë ata djem që sot janë në shi duke e ruajt rendin dhe qetësinë e kanë përkrahjen e pa rezervë jo vetëm timen por të gjithë atyre që donë në këtë vend shtet funksional dhe ligjor”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj është shprehur i bindur se Serbia do të dilte e humbur në raport me Kosovën.

“Serbia ka qenë shumë më e fortë në kohën e Millosheviqit dhe e kemi larguar me turp. Çdo ide e Serbisë dhe çdo tendencë mendojë se prapë Serbia hyjnë në një garë të cilën do ta humb. Kosova ka aleatë më të fortë, institucionet e sigurisë i ka funksionale dhe të përgatitura me pajisjet shumë moderne”, u shpreh Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj, ka thënë se qytetarët serb në veri janë të zhgënjyer me qeverisjen në Beograd dhe se duhet të zbatohet marrëveshja e vitit 2011.

“Unë e njoh mirë pjesën e veriut, kam qenë me dhjetëra herë. Qytetarët serb janë të lodhur me pushtetin në Serbi. Kur kam qenë në Zubin Potok së bashku me një diplomat të huaj pamjet kanë qenë të mjera, fjalët më të ulëta i folshin për qeverinë e Beogradit. I shoh si peng të politikave të Serbisë, mendojë se marrëveshja e 2011-ës është obligative në zbatim që e ka nënshkruar pikërisht ky i palës serbe”, tha Haradinaj.

Tashmë kanë kaluar 8 ditë që kur pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga qytetarë serbë për shkak të masës së reciprocitetit.

Shpërndaje në: