Deklarata e Kurtit, Beqa: Gjitha qeveritë janë meritore për vizat, e dijnë qytetarët çfarë imazhi ka kriju Albini me jashtë

Deklarata e Kurtit, Beqa: Gjitha qeveritë janë meritore për vizat, e dijnë qytetarët çfarë imazhi ka kriju Albini me jashtë

U bën tash e sa vite që pothuajse secila Qeveri që ka udhëhequr Kosovën ka dhënë kontribut në procesin e liberalizimit të vizave. Por sot kryeministri i vendit Albin Kurti i dha merita qeverisë së tij nëse ky proces finalizohet me 23 qershor, shkruan Periskopi.

Gjatë një konference për medie, Kurti tha se është përmirësuar imazhi i Kosovës i para dy viteve.

‘’Besoj që imazhi i Kosovës në masë të konsiderueshme është rregulluar, i cili për bindjen time të fuqishme, është më i miri që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Me ngritje të besimit, rritje ekonomike dhe rritje të rejtingut në vlerësimet e organizatave ndërkombëtare. Dhe kjo duhet të rregullohet në qëndrimet e BE’së karshi neve. Ne kemi plotësuar kriteret dhe në muajin e ardhshëm bëhen 4 vjet prej se është rekomandur për herë të dytë liberalizimi. Është theksuar problem në imazhin e Kosovës. Kemi punuar shumë dhe organizatat prestigjionze kanë dëshmuar se imazhi i Kosovës nuk është i para dy viteve. Shpresoj kjo të reflektojë”, tha Kurti.

E ndaj kësaj deklarate ka reaguar Hajdar Beqa, deputet i PDK-së.

Beqa në një prononcim për Periskopin e ka cilësuar deklaratën e Kurtit si dëshiruese, por që në realitet një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ai shtoi se merita në procesin e liberalizimit të vizave është e të gjitha qeverive.

“Realisht sa i përket liberalizimit të vizave, konsideroj se është proces i cili ka filluar moti dhe Kosova i ka plotësuar kriteret që i ka pasur të vendosura nga BE më herët. Liberalizimi i vizave nuk është lajm për opininon publik sepse është një proces i stër-vonuar, kurse të gjitha qeveritë kanë jap kontribut në vazhdimësi për procesin e integrimeve evropiane.

Sa i përket imazhit të Kosovës, e them me keqardhje se zotëri Kurti e ka izoluar Kosovën edhe në raport me faktorin ndërkombëtar. Mendoj se deklarata e Kurtit është dëshiruese, por gjendja reale është ndryshe, e dijnë edhe qytetarët e Kosovës një gjë të tillë dhe kemi problem edhe në imazh të brendshëm edhe në të jashtëm për zotëri Kurtin. Ne po e shohim çfarë trendi i rritjes së çmimit është, çfarë inflacioni…”, tha Beqa për Periskopin.

Kujtojmë se me 23 qershor në Bruksel do të mbahet takimi i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, por ende nuk dihet nëse do të diskutohet edhe liberalizimi i vizave./Periskopi-Iliriana Xhylani

Shpërndaje në: