Deklaratat e Grenellit: Amerika braktis Kosovën në dialog pas tërheqjes së Thaçit

Deklaratat e Grenellit: Amerika braktis Kosovën në dialog pas tërheqjes së Thaçit

Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi  Richard Grenell, ka mirëpritur iniciativat e fundit të Bashkimit Evropian për rikthimin e Prishtinës dhe Beogradit në tavolinën e bisedimeve.

Grenell ka deklaruar se nisma e Evropës ka mbështetjen e plotë të SHBA-së dhe se është i lumtur teksa sheh evropianët që po organizojnë Videosamitin e Parisit më 10 korrik dhe takimin e nivelit të lartë në mes të Kosovës dhe Serbisë më 12 korrik në Bruksel.

Mirëpo ky qëndrim i të dërguarit special të presidentit amerikan, nga njohës të çështjeve politike e diplomatike në vend, po cilësohet si sinjal i tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga dialogu Kosovë-Serbi.

Analisti Shkodran Ramadani i ka thënë Periskopit se deklarata e Grenellit mund të nënkuptohet si një miratim i ShBA-së që BE-ja të marrë sërish në dorë çështjen e dialogut. Analisti thotë se ky qëndrim i ri amerikan rreth kësaj çështje, ka ardhur pas publikimit të propozim aktakuzës së prokurorit të Gjykatës Speciale ndaj presidentit Thaçi.

“Konsideroj që ShBA-të  me Thaçin janë më të afërt, prandaj besoj që do të ketë një tërheqje. Duket që ka një  koordinim më të mirë në mes SHBA-së dhe BE-së pas 2 vjetësh tensionesh lidhur me çështjen e dialogut. Më shumë se tërheqje, kjo më shumë më ngjan si një  miratim i ShBA-së që BE-ja të drejtojë dialogun”, tha Ramadani.

Megjithatë, ai shprehet skeptik nëse dialogu në cilindo drejtim qoftë do të ketë sukses pa përfshirjen e Presidentit Thaçi.

“Mbetet të shihet se sa sukses do të ketë ky takim, nëse prapë Kosova nuk merr liberalizimin e vizave dhe nëse nuk ka një platformë të qartë nga Franca dhe Gjermania , atëherë dialogu mund të gravitojë drejt orbitës së Washingtonit. Që nga publikimit i aktakuzat ndaj Thaçit dhe Veselit gjasat për dialog të çfarëdo lloji janë zbehur, sepse pa përfshirjen e Thaçit vështirë që mund të këtë dialog, por nëse zëvendësohet presidenti ose Hoti merr mbështetje e Kuvendit atëherë edhe mund të këtë”, tha Ramadani.

Por ndryshe nga Ramadani mendon analisti Ramush Tahiri. Sipas tij, reagimi i Richard Grenell  duhet të shihet si pozitiv dhe se dialogu po zhvillohet në dy drejtime. Sipas Tahirit, asnjëherë nuk ka ekzistuar ndonjë konkurrencë në mes ShBA-së dhe BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se kjo është propagandë e shërbimeve të huaja.

“Është mirë që e ka përkrah. Nuk ka ndonjë kundërshtim tash të Amerikës për tu marrë me dialogun. Grenell e ka bërë të qartë se SHBA-të do të merren me çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, ndërsa BE-ja me çështje të tjera”, ka thënë Tahiri për Periskopin.

“Grenell e ka përkrah edhe më herët përfshirjen e BE-së në dialog, por shërbimet e huaja që shërndajnë propagandë thonë se ka përçarje në mes tyre rreth dialogut”, ka theksuar tutje Tahiri.

Analisti ka potencuar se përveç krerëve të institucioneve të Kosovës, askush tjetër nuk mund të nënshkruajë ose ratifikojë marrëveshje me Serbinë. Kjo si kundërpërgjigje ndaj presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili pati deklaruar se ‘me evropianët flet për Kosovën’./Periskopi/

 

 

 

Shpërndaje në: