Del studimi: Hemingway kopjoi nga miku i tij i panjohur kuban

Periskopi.com Showbiz

Njëri ishte reporter lajmesh nga Kuba që punonte për të ndihmuar familjen dhe shkruante tregime në kohën e lirë. Tjetri ishte një prej novelistëve më të mëdhenj të botës që shkoi në Havanë për të gjetur frymëzim.

Studimi i ri tregon se temat dhe stili në shkrimet e Enrique Serpas, një autori pak të njohur kuban, morën jehonë në veprat e Ernest Hemingwayt, që shkroi disa prej veprave më të njohura në atë vend në vitet ’40 dhe ’50, përkthen nga The Guardian, Periskopi.

Akademiku amerikan Andrew Feldman tha që kishet paralele shumë të fortë mes tregimeve të Serpas dhe veprave të vonshme të Hemingwayt, përfshirë Të kesh a të mos kesh dhe Plaku dhe Deti. Megjithëse “nuk ishte situatë plagjiature”, tregimet kishin “ngjashmëri të pabesueshme, në tema dhe në stil”.

Ai tha: “The Marlin e shkruar nga Serpa, e botuar së pari më 1936, është për një djalë dhe një plak që peshkojnë. Plaku vritet nga peshku Marlin gjatë përleshjes. Kësisoj, kjo duket shumë e ngjashme me Plaku dhe Deti nga Hemingway që u botua më 1952. Më tej, novela e Serpas Kontrabanda, tregim për kontrabandimin e rumit, është shumë e ngjashme me Të kesh a të mos kesh, tregim për kontrabandën nga Hemingway.”

Megjithëse Kontrabanda ishte publikuar në Havanë më 1938 dhe libri i Hemingwayt doli menjëherë vitin tjetër, Feldmani ka evidencë të fortë që shkrimtari amerikan e kishte lexuar dorëshkrimin e shkrimtarit kuban para se ta takonte Serpan më 1934.

Ai po ashtu ka zbuluar një letër të papublikuar në të cilën shkrimtarja Martha Gellhorn, shkurtimisht e martuar me Hemingwayn, i shkroi në emër të këtij të fundit redaktorit, duke provuar ta bindte që ta botonte në anglisht veprën e Serpas. Ajo thoshte që Hemingway besonte që miku i tij ishte “një mrekulli.” /Periskopi