Deliu: Qeveria po vazhdon të nxisë urrejtje ndaj Shqipërisë

Periskopi.com Lajme

Blerta Deliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë të mërkurën se Qeveria po vazhdon të nxisë urrejtje dhe armiqësi për Shqipërinë.

Deklarata e Deliut vjen pasi deputeti në grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Shala e cilësoi Edi Ramën “zëdhënës i Qeverisë së Serbisë”.

Kjo pasi, Edi Rama ka deklaruar se “duhet mirëkuptuar Serbia për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”.

E deklaratat që po vinë nga deputetet e VV-së për Ramën sipas Blerta Deliut, janë të papranueshme.

“Ne mund të mos pajtohemi në çështje të caktuara me Shqipërinë, por kjo nuk guxon të përdoret si pretekst për të prodhuar tensione artificiale me shtetin shqiptar”, ka thënë Deliu. “Secilën çështje të diskutueshme duhet ta diskutojmë si dy vende vëllazërore për të sinkronizuar qëndrimet që ndihmojnë Kosovën sidomos në arenën ndërkombëtare. Shqipëria mbetet përkrahësja më besnike e Kosovës, kudo që ajo përfaqësohet”.

Ajo po ashtu tha se Albin Kurti e ka amnistuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për kohën kur i ka shërbyer Millosheviqit.