‘Demagog. Axhami’: Veç opozitës, ja si e komentojnë qytetarët deklaratën e Kurtit lidhur me rrezikun për luftë

‘Demagog. Axhami’: Veç opozitës, ja si e komentojnë qytetarët deklaratën e Kurtit lidhur me rrezikun për luftë

Diskursi i kryeministrit Kurti, që paralajmëron rrezikun për luftë, po kritikohet nga opozita dhe opinionistë në vendin tonë. Për ta përmbledhur më shkurt kritikën e tyre, ata rekomandojnë që të anashkalohet një gjuhë e tillë nga kryeministri, sepse kështu i tremb investitorët.

Për kryetarin e LDK-së, z.Lumir Abdixhiku, deklaratat e tilla ‘të një axhamie’ po i bëjnë konkurencë lajmeve të mira për Kosovën prodhuar nga kultura në vendin tonë, ditëve të fundit.

“Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë”, shkroi dje Abdixihiku, përcjell Periskopi.

Prej PDK-së, nënkryetarja Vlora Çitaku, rekomandon të mos ndjellet frikë e panik.

“Nuk ka me pasë luftë në Kosovë. Mos ndjellni frikë e panikë. NATO është garantues i sovranitetit të Kosovës. Serbia e di shumë mirë çka sjellë një konflikt i hapur me NATO. E ka provu”, shkroi ajo.

ZËRI I QYTETARËVE NË MIKROFONIN E PERISKOPIT: 

 “Jo. Albin Kurti prej fillimi e ka dëshmuar që është një demagog dhe asgjë tjetër.

Ai fjalën luftë veç e ka përmend kot sepse ai kur ka qenë lufta nuk ka qenë i gatshëm me luftu, kështu që thjeshtë është një demagog dhe besoj që qytetarë e Kosovës janë duke e kuptuar dita ditës që nuk është asgjë puna e tij.

Ai ka dështuar në të gjitha segmentet e tjera të qeverisjes në Kosovë dhe fjala e fundit që i ka mbet është të propagandoj dhe t’ia fus frikën popullit. Kosova nuk ka luftë sepse luftën e ka ka kry 1999 edhe sot është e lirë dhe e pavarur.

Kurti besoj që i din të gjitha këto, mirëpo si duket ai ka dështuar dhe i ka humb udha në oborr dhe ajo që i ka mbet është me propagandu se gjoja do kemi luftë.

Serbia këtu erë nuk mundet me marr ma. Këtu është ShBA-ja.”, tha njëri prej tyre.

“Kosova e ka kry luftën s’ka ma rrezik. Ne e kemi KFOR-in këtu që na mbrojnë, unë s’po e shoh atë rrezik. Liri. Nuk po shoh, s’po di çfarë mendimi ka pasë ai. Nuk ka rrezik, Kosova luftën e ka kry, s’ka ma luftë në Kosovë”, tha qytetari tjetër për Periskopin.

“Kurti ka thanë luftë? Ndoshta, çka nuk bëhet, veç unë nuk besoj se bëhet luftë…mu bë luftë kjo shkatërrohet, dytës edhe ia kemi pa sherrin. Për veti dhe për do të vjetër nasht, po më dhimbeni ju rinia që me u kënaq në shekullin 21 po ishalla nuk vjen ajo. Për do do çka i kanë bo këtij shteti veç unë çka i vlerësoj le të bëhet, a për hatër të rinisë të mesave e nipave nuk kam qejf.”, tha tjetri qytetar.

“Jo nuk ma merr mendja. Derisa këtu është KFORI dhe baza amerikane në Bondsteel nuk ma merr mendja, nuk është e mundur”, tha një tjetër për mikrofonin tonë.

“Nuk besoj edhe pse Serbisë nuk i besojmë asnjëherë, por unë mendoj se tani jemi krejt në një situatë të re sepse Kosova është pothuajse që sa vite shtet në konsolidim edhe me forcat e sigurisë edhe policisë vetëdijësimi i popullit është ndryshe, por edhe politika gjeostrategjike në rajon është ndryshe…Në rast se Serbia provokon ne do të përgjigjemi, por kryeministri Kurti kishte qenë mirë të merret me punë të përditshme të popullit me një situatë tejet të rëndë ekonomike për planin e sigurisë ne i kemi aleatët tonë strategjik”, tha një tjetër qytetar.

“Nuk e di atë duhet me mendu vetë Albini, ai është t’u i bë këto sene. Ne jemi gurbetqaeq jena ardhë me i bë do pushime, që kaq as ma shumë as më pak”, tha qytetari i fundit./Periskopi

 

Shpërndaje në: