Demaliaj thotë se lexon libra dashurie e për fëmijë: Lavdëron shkrimtaren rozë por mendon se është burrë

Demaliaj thotë se lexon libra dashurie e për fëmijë: Lavdëron shkrimtaren rozë por mendon se është burrë

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ka përmendur para disa ditësh pasionin e tij të madh për libra pasi ishte akuzuar në rrjete sociale se nuk lexonte shumë.

Në një intervistë të dhënë së fundi për TV7, ai ka thënë se i ka afër 300 libra të zhanreve të ndryshme.

“Po kam dikun afërsisht 300 libra të zhanreve të ndryshme, mirëpo, kjo është pjesë e vogël që e posedoj në banese, për shkak se kam shumë libra gjatë përditshmërisë që kam pas qasje në dokumentacione raporte të ndryshme, sepse ti kisha marrë vetëm gazetën zyrtare ishin mbush të gjithë tavanat, janë disa artikuj të zgjedhur.” – tha ai.

Ai shtoi se kishte libra për fëmijë, e të cilët i lexonte me fëmijët e tij, e po ashtu edhe libra universitarë, Kuranin e madhërishëm që pretendoi se e ka lexuar, dhe literaturën për UÇK-në, përcjell Periskopi.

Demaliaj pretendon se sa ishte i arrestuar në Gjilan e po mbahej në burg, i kishte kërkuar familjes që t’ia dërgonte 20 libra, dhe se gjithë kohën rrinte duke lexuar – e se gardianët e burgut habiteshin me të kur e shihnin se si e kalonte kohën.

“Më akuzuan për kërcënim, edhe pse nuk  ishte kërcënim, pata lyp fondin librarë a ka libra, më thanë po, kur shkova nuk kish pas diçka të ngjashëm, në momentin e parë i pata thirr të familjes, mi patën pru nja 20 libra. Gardianët në çdo kohë më vishin më gjejshin tu lexu. Nuk mund të rri pa libër, nuk është për me dalë para publikut sepse është obligim i gjithë qytetarëve sepse pasurohet fjalori, truri në këtë rast, pavarësisht njerëzve që nuk lexojnë libra të zhanreve të ndryshme. Unë i lexoj të gjitha zhanret”, shton, teksa tregon edhe cilat libra të Naim Frashërit i ka lexuar.

Demalijaj thotë se autorja e tij e preferuar është Danielle Steel, megjithëse ia huq pak me gjininë, duke ju referuar si mashkull.

“Po kam lexuar Danielle Steel është shumë i mirë, janë libra për dashuri, po i lidhin të gjitha konceptet që edhe sot mund të jenë në natyrën e funksionimit të shoqërisë, dashuria nuk mund të jetë vetëm koncepti qysh me e dashtë dikan po edhe mënyra qysh me arrit.

Dashuri në Paris, është libër shumë i mirë ju kisha thanë edhe kolegëve të mi, që të lexojnë të libër.

Ka zhanre të ndryshëm, kam lexuar edhe të Greqisë antike, Homerin… është problem Tolstoin, Shekspirin edhe ai është tragjik, komedi, Romeo dhe Zhulietën.

Unë nuk e kam se kush ka ma shumë libra, ish në pyetje diçka tjetër, se aktivistët e LV-së fyejnë shumë këta janë njerëz që nuk lexojnë, të korruptuar”, thotë ai.

Deputeti i AAK-së, thotë se me Albin Kurtin njihet që nga studimet, e organizata e studentëve.

 

“Unë pothuajse jam gati vetëm nuk jam i sigurtë nëse Albini është një gjeneratë para meje, e kam njoftë edhe në studime, bukur zor patëm hjekë me shti në Lëvizjen Studentore, se fakulteti teknik i z.Kurtit nuk pranojshin me na përkrahshin atëherë”, shton ai.

Shpërndaje në: