Dënohet me 25 vjet burgim ish-polici që vrau qytetarin në Gjilan

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me 25 vjet burgim ish-policin Vllaznim Hamdja, pasi i njëjti u shpall fajtor pët vrasjen e tani të ndjerit Lulzim Spahiut.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të hënën nga gjykatësi i rastit, Islam Thaçi.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 5 mars 2020, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Vllaznim Hamdija, me arsyetimin se i njëjti, më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në rrugën qarkore “NATO 99” në Gjilan, ka privuar nga jeta tani të ndjerin, viktimën Lulzim Spahiu dhe ka rrezikuar të tjerët.

Sipas aktakuzës, këtë i pandehuri e ka bërë në atë mënyrë që, derisa ishte duke e drejtuar veturën e llojit “Craysler Sebrig” (e padoganuar, siguruar dhe regjistruar), në shoqëri të personave Miradije Halili dhe Besnik Linomi, pasi kishin konsumuar pijë alkoolike, arrin tek udhëkryqi që të dërgon në lagjen “Gavran”, përkatësisht tek furra e bukës “Shqiponja”, ku kishte shkaktuar aksident trafiku me kamionin e llojit “Mercedes”, të cilin ishte duke e drejtuar tanimë i ndjeri Lulzim Spahiu.

Reklamë
Në aktin akuzues thuhet se pas aksidentit, i pandehuri del nga vetura dhe pas një mosmarrëveshje përkitazi me aksidentin e komunikacionit në mes tij dhe viktimës, si dhe djalit të viktimës, Blend Spahiu, i njëjti nxjerr armën zyrtare nga brezi dhe pas disa shtyrjeve dhe përpjekjeve nga dëshmitarja Miradije Halili dhe Besnik Limoni që ta ndalojnë të pandehurin që të gjuaj me armë, pasi viktima hyn në kamion dhe e mbyll derën, i pandehuri afrohet tek dera e kamionit ku dritarja ishte e hapur dhe shkrep në drejtim të viktimës, me ç’rast e godet atë një herë në pjesën nën vetullën e syrit të djathtë, ku viktima vdes në vendin e ngjarjes.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje, sipas dispozitivit të dytë të aktit akuzues, i pandehuri në kundërshtim me Ligjin për armët, ka mbajtur armë në pronësi, kontroll ose posedim dhe atë dy pistoleta të llojit “Bereta”, ku njëra është gjetur në dollapin e ulëses së parë të pasagjerit në veturën e tij, bashkë me mbi 50 fishekë, kurse gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, janë gjetur edhe 7 karikatorë të armës zyrtare dhe 76 fishekë, të cilat armë dhe municion janë konfiskuar nga Policia e Kosovës.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse në dispizitivin e tretë të aktakuzës, Hamdija akuzohet se më 29 dhjetor 2019, pas mesnate, në restorantin “ELMA” në fshatin Malishevë, ka përdorë armën, në atë mënyrë që derisa ishte duke dëgjuar muzikë folklorike dhe duke pirë pije alkoolike, nxjerrë pistoletën e llojit “Bereta”, e cila ishte me gaz dhe me të njëjtën shkrepë disa herë në brendësi të restaurantit, në drejtim të tokës.

Me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 367 paragrafi 1 e 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Shpërndaje në: