Departamenti i Shtetit: Kufizime serioze në lirinë e shprehjes në Kosovë

Departamenti i Shtetit: Kufizime serioze në lirinë e shprehjes në Kosovë

Në raportin për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2021, Departamenti i Shtetit tregoi se në Kosovë çështjet e rëndësishme të këtyre të drejtave përfshinin raporte të besueshme për; kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet për dhunë gazetarëve.

Raportimet se zyrtarë qeveritarë, parti politike, biznese të lidhura me qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur u bënin trysni pronarëve të mediave u vërejt edhe në raportin e fundit të publikuar nga DASH-i.

Raporti thekson se ndonëse qeveria në përgjithësi e respektoi të drejtën e shprehjes, raportet e besueshme thonë se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias. Problemet e financimit gjithashtu dëmtuan pavarësinë e medias. Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike.

Mediat e pavarura, thuhet më tej, ishin aktive dhe shprehën një shumëllojshmëri pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime. Megjithatë, pati raportime se zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznese të lidhura me qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur u bënin trysni pronarëve të mediave, redaktorëve dhe gazetarëve që të mos publikonin rrëfime ose materiale të caktuara.

Disa gazetarë u përmbajtën nga raportimi kritik investigativ për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose vendin e punës.

Ndërsa disa media të vetëqëndrueshme miratuan politika editoriale dhe transmetime të pavarura nga interesat politike dhe të biznesit, ato me më pak burime ndonjëherë pranuan mbështetje financiare në këmbim të mbulimit pozitiv ose për t’u përmbajtur nga publikimi i rrëfimeve negative të dëmshme për interesat e financuesve.

Sipas disa redaktorëve, financimi ishte i kufizuar pjesërisht sepse qeveria hezitonte të blinte reklama në mediat që publikonin materiale kritike ndaj politikave të qeverisë.

Deri në dhjetor, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës raportoi 26 raste kur zyrtarët qeveritarë, njerëz të biznesit apo përfaqësues të grupeve të komunitetit ose grupeve fetare, shkelën lirinë e shtypit duke sulmuar fizikisht ose kërcënuar verbalisht gazetarët.

Raporti vë re se disa gazetarët u ankuan se pronarët dhe menaxherët e medias i penguan ata të botonin ose transmetonin materiale kritike ndaj qeverisë, partive politike ose zyrtarëve të veçantë./Periskopi/

Shpërndaje në: