Deputetët e pushtetit pa ‘trohë kokëçarje’ e votuan Ligjin që e ka kundërshtuar BE-ja qe sa kohë

Miratimi i ligjit nga deputetët e LVV-së, për Komisionin e Pavarur për Media, që veç tjerash synon rregullimin e mediave online, ka ngjallur reagimin e organizatave e gazetarëve në Kosovë dhe Evropë, shkruan Periskopi.
Derisa, Qeveria e Kosovës insiston se ka përpiluar një ligj të drejtë në linjë me standardet evropiane, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, shprehu keqardhje që Kuvendi e miratoi ligjin “pa i adresuar shqetësimet” dhe nuk u rreshtua përkrah standardeve të BE-së.
“Kuvendi i Kosovës e humbi sot një mundësi të mirë për t’i pasur dy ligje të mira….Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, pasi dështoi t’i fusë plotësisht të gjitha rekomandimet e BE-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare”, tha Szunyog.
Përvec tij, reagim për këtë votim pati ede Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili tha se Kosova i shpërfilli qëndrimet e BE-së, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së për këtë ligj.
“Kosovarët duan të jenë pjesë e familjes evropiane dhe, nëse Qeveria e Kosovës dëshiron ta përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së, atëherë çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet evropiane”, shkroi Rohde në X.
Ndërsa, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në një reagim në Facebook tha se e ka pranuar me “shqetësim” miratimin e Projektligjit dhe kërkoi të kundërshtohet futja në fuqi e tij.
“Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre”, tha AGK-ja.
Ashtu siç kishin paralajmëruar, në votim nuk morën pjesë deputetët e partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilët u larguan nga seanca pasi që kërkesa e tyre për largimin e këtij projektligji nga rendi i ditës nuk u përkrah nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Madje, LDK-ja dhe PDK-ja njoftuan të enjten pasdite se do ta dërgojnë atë në Gjykatën Kushtetuese.
Pas votimit reagoi edhe juristja e mediave, Flutura Kusari, e cila tha se “sot është ditë e errët për demokracinë dhe lirinë e shprehjes dhe medias në Kosovë”.
Për të hyrë në fuqi, Projektligji për KPM-në pas miratimit në Kuvend duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Çfarë parasheh projektligji për KPM-në?
Projektligji i miratuar të enjten, më 11 korrik, parasheh licencimin dhe kontrollimin e mediave online që prodhojnë video prej KPM-së, më herët në këtë organ kanë qenë të obliguara që të regjistrohen vetëm mediat audio-vizuale.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) – i themeluar në vitin 2005 – është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
Sipas këtij projektligji, mediat që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të hapin kompani që t’i plotësojnë kushtet e licencimit nga KPM-ja.
Po ashtu, mediat duhet të marrin leje prej KPM-së në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind.
Sipas tij, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale siç janë: mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor tek KPM-ja brenda afatit, mosruajtja e arkivit të transmetimeve, mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim, si dhe për disa raste të tjera.
Përveç përfshirjes së mediave online që prodhojnë video nën monitorimin e KPM-së, ligji i ri parasheh edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga shtatë në 11 dhe zgjatjen e mandatit të tyre./Periskopi
Hamza pas votimit të KPK e KPM: Kjo qasje e Qeverisë e ka futur Kosovën nën sanksione