Deputeti i PDK’së për ministren Schwarz ‘ndoshta e kanë shkarkuar’, reagon Peci

Deputeti i PDK’së për ministren Schwarz ‘ndoshta e kanë shkarkuar’, reagon Peci

Kuvendi i Kosovës me 64 vota pro ka miratuar sot raportin me rekomandime lidhur me raportin e Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme e Diasporës për 2020. Ndërsa ka pasur përplasje në mes deputetit të PDK’së Hajdar Beqa dhe atij të Listës ‘Guxo’, Faton Pecit.

Në seancë nuk ishte e pranishme ministrja Donika Gërvalla, për çka deputetët adresuan kritika.

Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës pyeti se a është shkarkuar ministrja Gërvalla pasi ajo sipas tij nuk është parë aktive as brenda e as jashtë vendit.

“Ndoshta e kanë shkarkuar, po nuk qenka kryeministri këtu, ndoshta është e shkarkuar Donika se më të vërtetë nuk e kemi pa aktive as brenda vendit e as jashtë vendit. Mendova mos është në ndonjë fushatë, po as në fushatë nuk e ka pa. Ndoshta është mirë të na tregoni që të mos i biem në qafë”, tha ai.

Për shkak të mungesës së ministres Gërvalla, Grupi Parlamentar i AAK-së nuk e ka votuar raportin e Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme e Diasporës për 2020.

Ndonëse mungonte për shkak të vizitës zyrtare në Kanada, ministrja Gërvalla kishte autorizuar ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, që të paraqiste veprimet që janë ndërmarrë në raport me të gjeturat.

“Këtu u tha se mos vallë ministrja Gërvalla është e shkarkuar. Është mirë që të gjithë ata të cilët ngjallin shpresa të rrejshme të mos e bëjnë një veprim të tillë, pasi që ballafaqimi me realitetin dhe zhgënjimin do të jetë shumë i madh. Ministrja Gërvalla ndodhet për vizitë zyrtare në Kanada në koordinim të plotë me presidenten dhe kryeministrin e vendit”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar me 71 vota edhe raportin vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale për 2020. Ndërsa, në mungesë të kuorumit në vendimmarrje Kuvendi nuk ka miratuar raportin vjetor të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për 2020.

Shpërndaje në: