Deputeti i LDK-së: “Marteza e zorit” me PDK-në duhet të marrë fund

Deputeti i LDK-së: “Marteza e zorit” me PDK-në duhet të marrë fund

Ish-komandati i UÇK-së, në një intervistë për tesheshi.com pranon se lista serbe po pengon themelimin e ushtrisë, por ka një mesazh për ta, duke thënë se “ushtria e Kosovës nuk u paraqet rrezik, por do të ofrojë më shumë siguri për paqen në Kosovë dhe rajonit”.

Në këtë intervistë, Quni flet edhe për tema tjera, si dënimin e grupit “Drenica”, Asociacionin, Demarkacionin, vrasjet e pasluftës etj.

Kryeministri Isa Mustafa së fundmi ka pranuar se koalicioni qeverisës nuk i ka votat për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin. Pas këtij “dorëzimi”, a mendoni se ky projektligj nuk duhet të rikthehet në Kuvend pa u arritur një marrëveshje mes partive? Ç’mendim keni në përgjithësi për këtë çështje dhe a do ta votonit këtë projektligj në versionin aktual?

Nuk do ta quaja “dorëzim”,  por thjeshtë shpërfaqje e mungesës së vullnetit të përgjegjësive politike (pozitë dhe opozitë) që të arrijnë deri tek marrevëshja e përbashkët, kur çështjet nacionale dhe shtetërore do të duhej të jenë mbi interesat partiake.

Lista serbe rikthimin në institucione po e kushtëzon me formimin e Asociacionit. Si deputet i LDK-së, cili është mesazhi juaj për qeverinë për të ashtuquajturën nga opozita “Zajednicë”?

Në lidhje me Asociacionin, së pari duhet ditur se asgjë nuk mundet të shkojë jashtë rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese, dhe së dyti ky është një moment i mirë për të gjitha partitë parlamentare, që me unitetin e tyre, të japin mesazhin e fuqishëm se, munden t’i zhvillojnë proçeset politike pavarësisht kushtëzimeve të Listës Serbe.

Si e vlerësoni punën dy-vjeçare të qeverisë “Mustafa”? Cilat janë pikat pozitive dhe ato negative sipash jush?. A di LDK-ja të udhëheqë me qeverinë?

Pa dyshim se LDK-ja po e vërteton çdo ditë se ka potencialin dhe kulturën e shtetndërtimit. Ndoshta, do të duhej të ishte më e gjendur në promovimin e arritjeve, të cilat vërtetë nuk janë të pakta, duke marrë parasysh rrethanat e jashtëzakonshme, në të cilat për shumë kohë ishte e detyruar të punojë. Si anëtar i Komisionit të Sigurisë, me kompetencë e them se institucionet dhe organizatat e sigurisë janë në nivel shumë më të lartë të performancës se në qeveritë e kaluara.

Ka kohë që po flitet riformatimi i qeverisë por që s’ka ndodh ende. Emri juaj është përmendur si opsion për të zëvendësar Skender Hysenin në krye të Ministrisë së Brendshme? A ka diç në këtë drejtim? Nëse iu ofrohet pozita e ministrit të Brendshëm a do ta pranoni?

Po, është deklaruar se do të ketë riformatim të qeverisë, por jo në kuptimin e emërimeve apo lëvizjeve të individëve në përgjegjësitë e ndryshme. Në lidhje me përfoljet e emrit tim për ministër të Punëve të Brendshme mund të them se unë këtë e kam mësuar nga portalet. Asgjë më shumë se kaq!

 A do ta çojë qeveria aktuale mandatin e saj deri në fund. Nëse jo, kur prtet të mbahen zgjedhjet e reja parlametare?

Është fakt se, kohët e fundit zërat për ndërprerjen e koalicionit janë intensifikuar, por në LDK ekziston tani një kulturë e marrjes së vendimeve ku çështje të tilla trajtohen nga strukturat më të larta të partisë: Kuvendi, Këshilli i Përgjitshëm, Kryesia dhe kryetari. Prandaj, kjo temë mendoj se nuk duhet të determinohet nga qëndrimet individuale pa u shtruar dhe analizuar së pari brenda partisë. Shpresoj se të njëjtën proçedurë do të duhej ta ndjekë edhe partneri i koalicionit, PDK-ja. Kjo kulturë e marrjes së vendimeve ështe e vetmja mënyrë demokratike për të qenë i përgjegjshëm ndaj qytetarëve, votuesve, anëtarëve të partisë etj.

Si një prej ish-komandatëve të UÇK-së, si e shihni dënimin e grupit “Drenica”? A po dëmtohet lufta çlirimtare me dënimet e disa prej themeluesve të saj?

Do të citoj një pjesë të fjalimit tim nga seanca parlamentare në lidhje me këtë temë: “Është fakt se, lufta e UCK-së nuk e ka marrë trajtimin e duhur politik, historik, juridik, shkencor dhe profesional. UÇK-ja varet nga interest ditore dhe partiake. Gjërat janë stërzmadhuar, iracionalizuar, përvetësuar, monopolizuar, përjashtuar, mohuar, heshtur… Kur ngjarja hiperbolizohet, filluar nga etiketimet deri tek glorifikimi, atëherë edhe aktorët apo protagonistët e ngjarjes marrin vlerësime të ngjashme”.  Mendoj se duhet edhe një distancë kohore, në situatë të shtensionuar politike, për të vlerësuar madhështinë e luftës së UÇK-së.

Po kalon edhe viti 2016 dhe përkundër premtimeve të mëdha nuk po formohet ushtria. A po bëhet lojë me ushtrinë dhe a pritet të krjohet në 2017-ën?  

Institucionet përkatëse të Kosovës: qeveria e Kosovës, Ministria e FSK-së dhe Komanda e FSK-së kanë deklaruar se FSK është e gatshme për t’u shndërruar në ushtri. Të gjitha përgatitjet, FSK i ka bërë me ndihmën e NATO-s, përkatësisht KFOR-it, të cilat kanë vlerësuar se FSK ka përfunduar këtë fazë përgatitore me sukses. Në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, udhëheqës ushtarakë të SHBA-ve dhe të NATO-s kanë vlerësuar se FSK mund të transformohet në Forca të Armatosura, dhe në këtë drejtim do ta ketë përkrahjen e plotë të tyre. Ka mbetur vetëm vendimi politik nga Kuvendi për të bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore, për të cilat (ndryshimet kushtetuese) kërkohet vota e dyfishtë prej 2/3, pra edhe e komuniteteve etnike. Në këtë drejtim, ka pasur shqetësime nga komuniteti serb lidhur me sigurinë e tyre. Mendoj se bashkë me partnerët tanë SHBA dhe NATO-n do të arrihet të sigurohen serbët se ushtria e Kosovës nuk paraqet rrezik për ta, por do të ofrojë më shumë siguri për paqen në Kosovë dhe rajon. Në kushtet e rritjes së kërcënimeve globale sidomos nga terrorizmi botëror dhe faktorë të tjerë destabilizues dhe cenues të paqes globale, nevoja që edhe Kosova të ketë ushtrinë e vet është shumë e madhe. Nëpërmjet ushtrisë, Kosova realizon marrëdhënie të reja me partnerët strategjikë dhe me NATO-n. Në këtë aspekt, FSK i ka kapacitetet për t’u shndërruar në FA dhe me ndihmën e NATO-s dhe SHBA-ve edhe në të ardhmen do të vazhdojë të rrisë kapacitetet e saj mbrojtëse.

Edhe Kongresit Amerikan se fundi ka nxjerre një vendim që detyron Administratën Amerikane të angazhohet e ta ndihmojë Kosovën për t’u përgatitur për Programin e Partneritetit për Paqe dhe për anëtarësim në NATO. Kjo, do të thotë se, SHBA-të do të angazhohen në të gjitha fazat që nga shndërrimi i FSK-së në FA e deri në pranimin e Kosovës në NATO.  Për Kosovën partneriteti me SHBA-të edhe në fushën ushtarake është shumë i rëndësishëm për sigurinë e saj dhe për të hapur perspektiva të integrimeve e të përfshirjes në agjenda të rëndësishme ndërkombëtare.

Të flasim pak për partinë tuaj. A ka në LDK grupime të ndryshme? Si e shihni udhëheqjen e partisë nga Isa Mustafa dhe a mendoni se i duhet “gjak” i ri udhëheqjes së partisë suaj? Po sondazhet, si i shihni pasi shumica prej tyre e rendisin LDK-në si parti të tretë?

Është mirë të mos harrohet që LDK-ja është partia me traditën më të madhe, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Si e tillë, ajo, dallon nga partitë tjera sepse ka traditën e të bërit politikë, si dhe lejimit të shprehjes së mendimeve ndryshe, qoftë edhe brenda saj. Unë nuk do të thoja që ka grupimet brenda LDK-së, ka mendime ndryshe që duhet shqyrtuar dhe pasur kujdes që ato të mos i kalojnë linjat bazë të partisë. Lojaliteti ndaj partisë është i rëndësishëm, kur ka qëllime në të mire të vendit. Po ashtu, duhet pranuar fakti se, nën udhëheqjen e LDK-së shumë proçese pozitive kanë lëvizur në Kosovë. Rezultatet mund të jenë jo shumë të prekshme për qytetarët, por duhet pasur parasysh dy çështje; që kur LDK-ja ka marrë drejtimin, vendi është përballur me një opozitarizëm të egër dhe atë jo vetëm nga partitë opozitare, një gjë që nuk është parë gjatë qeverisjes së PDK-së dhe që mund të them, madje nuk është parë asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës. Sa për sondazhet, dështimi i tyre madje edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA i bën pothuajse të pabesueshme dhe aspak serioze. Mendoj që LDK-ja duhet të punojë intensivisht me strukturat bazë, të cilat ajo i ka shumë mirë të konsoliduara. LDK-ja ka “gjak” të ri brenda vetës, sidomos me zgjedhjet e fundit të brendshme në forumet rinore dhe ato të grave është vënë re një mobilizim i jashtëzakonshëm i aktivizimit të rinisë dhe grave e vajzave të reja. Radhët po i shtohen çdo ditë, por mbetet vetëm të aktivizojmë atë “gjak” të ri dhe të punojmë së bashku të tre brezat që LDK-ja i ngërthen përbrenda vetës dhe jam më se i bindur se rezultati nuk do të mungojë!

Pyetja e fundit ka të bëj me vrasjet politke të pasluftës. A besoni se do t’i zbardhë Gjykata Speciale? Kush mendoni se i ka kryer këto vrasje? Pse LDK-ja nuk e përkrah formimin e një komisioni hetimor parlamentar, për zbardhjen e vrasjeve të shumë aktivistëve të LDK-së?

Asnjëherë nuk është inicuar në Parlament që të krijohet komisioni Hetimor Parlamentar për zbardhjen e vrasjeve me motive politike. Tek e fundit, Parlamenti nuk i ka kapacitetet dhe ekpertizën për ta kryer një gjë të tillë. Besoj se së shpejti, me krijimin e parakushteve, zbardhja e vrasjeve me motive politike do të marrë drejtimin e duhur. Vetëm pas hetimeve të organeve të drejtësisë mundet të mësohet natyra e vërtetë e këtyre vrasjeve. Drejtësia duhet të realizoj funksionin e saj në mënyrë të pavarur dhe të paanshme nga institucionet dhe subjektet e tjera të përcaktuar me Kushtetutë dhe ligjet e vendit. Një ndër parimet kryesore të funksionimit të mirë të sistemit gjyqësor është pavarësia e gjyqësisë nga legjislativi dhe ekzekutivi, dhe ky parim paraqet parakushtin kryesor për ekzistimin e kushteve për pavarësinë e gjyqësorit. Mendoj se ajo që i mbetet politikës në këto raste është që të respektohet ky parim, që konsiston në mosvarësinë e gjykatave nga parlamenti dhe qeveria, dhe në mos ushtrimin e kontrollit politik ndaj punës së tyre.

Shpërndaje në: