Derbi që zakonisht po i takon Chelseat

Derbi që zakonisht po i takon Chelseat

Sot, me fillim nga ora 18:30 zhvillohet ndeshja derbi e javës së gjashtë në Premier Ligë ndërmjet Arsenalit dhe Chelseat. Dy rivalët londinez kanë baraz pikë, të dyja nga 10, pas pesë javësh në këtë sezon. Viteve të fundit, skuadra nga Stamford Bridge ka dominuar gati në mënyrë absolute në ndeshjet ndaj ‘topçinjve’. Në nëntë ndeshjet e fundit në ligë ndërmjet tyre, besoni ose jo, asnjërën nuk e ka fituar Arsenali. Ç’statistikë tronditëse për skuadrën e drejtuar nga Arsene Ëenger. Në nëntë përballjet e tyre në ligë, gjashtë herë ka shënuar fitore Chelsea, dhe krejt çka mundur skuadra nga Emirates Stadium të nxjerrë, janë tre barazime, për koinqidencë të trija me rezultat pa gola, pra 0:0.

Vlen të përmendet debakli që Arsenali e pësoi nga të kaltërit e Londrës më 22 mars të vitit 2014, kur këta të fundit triumfuan me rezultat të thellë prej 6:0. Nëse shkojmë edhe më larg dhe i numërojmë fitoret e të dyja skuadrave përballë njëra-tjetrës atëher del ky rezultat: Që prej vitit 2005, Chelseat i kanë takuar 13 përballje në ligë, ndërsa Arsenalit vetëm katër.

Natyrisht, milionat e Chelseat kanë luajtur rol të madh edhe në rezultatet e përballjeve direkte me Arsenalin, por kjo nuk e justifikon mossuksesin e vazhdueshëm të ‘revolveristëve’ në sfidat ndaj rivalit lokal në fjalë. Por, tani skuadra e drejtuar nga trajneri francez e as tifozët e kësaj skuadre nuk kanë arsye të fajsojnë të kaltërit për shpenzime marramendëse, pasi në afatin e transferimeve të kësaj vere, edhe Arsenali është përforcuar mjaft shumë. Emrat si Granit Xhaka, Shkodran Mustafi, Lucas Perez e Rob Holding e kanë përforcuar dhe ngritur nivelin dhe konkurrencën e kësaj skuadre.

Pra, tani nuk është ai Arsenali me lojtarë të tipit të Marouane Chamakh, Nicklas Bendtner apo edhe Denilson. Tani në skuadër trajneri  Wenger ka yje si Mesut Ozil, Alexis Sanchez, Santi Cazorla dhe Laurent Koscielny. Të gjithë këta futbollistë klasi, që do t’i donte çdo klub i madh në Evropë.

Pra, krejt në fund, si zakonisht bëjmë një pyetje. Në rast se Arsenali mposhtet sërish sot, a do të mund të themi se kjo skuadër tashmë është mësuar me të qënit inferior ndaj Chelseat? Në rast të humbjes së sotme, s’kemi se si ta quajmë ndryshe…

B. Sejdiu /Periskopi.com

Shpërndaje në: